Balla reagon ndaj kërkesës së PD-së: “Ky qenka revolucion etik”
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas kërkesës së Partisë Demokratike për përjashtimin e tij nga punimet e Kuvendit për 10 ditë, me argumentin se ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj deputetëve të opozitës.
Përmes një postimi në Facebook, Balla ironizoi kërkesën e PD-së, duke e cilësuar si një “revolucion etik”:
“Grupi Parlamentar i PD paska kërkuar të verifikohet nëse shprehja ‘ne nuk lehim’ është metaforë apo sarkazmë. Ky qenka revolucion etik, kur kërkesa vjen prej tyre.”
Ai shtoi se për të sqaruar kuptimin e shprehjes, referenca gjendet në një thënie popullore”
“Lajm i mirë! Megjithatë për sqarim, përgjigjja është tek shprehja popullore: ‘qentë le të lehin, karvani shkon përpara’.”
Kërkesa e PD-së për përjashtimin e Ballës është depozituar në Kuvend, duke e akuzuar atë për përdorim të gjuhës së papërshtatshme gjatë seancave plenare. Debati vjen në një moment të tensionuar mes mazhorancës dhe opozitës, ku etika parlamentare është rikthyer në qendër të vëmendjes.
KOHA JONË SONDAZH

