Burg për radikalin, Laçi: Fëmijët nuk kishin nevojë për shkollë
Politika e ditës e hijezoi ngjarjen misterioze dhe të rëndë që u raportua ditën e hënë. Në seancën e kësaj të marte, Gjykata e Tiranës la në burg Gjergji Laçin, i arrestuar për ngujimin e familjes së tij në banesë prej 6 vitesh. Në seancë ka pretenduar se nuk ka ushtruar dhunë ndaj dy djemve dhe gruas, teksa sipas tij nuk i ka penguar që të dalin jashtë. Për arsyen pse nuk i dërgon dy të miturit në shkollë, deklaroi se nuk kanë asnjë nevojë. Fishekët dhe thikat i mbaja për punë.
52-vjeçari u arrestua të dielën pasi akuzohet se mbante prej 6 vite të ngujuar gruan dhe dy djemtë e tij në shtëpi. Në dëshmitë e tyre, ata kanë treguar se ai u dhunonte sistematikisht dhe nuk i lejonte të dilnin nga shtëpia.
Bashkëshortja e Gjergj Laçit, është shprehur se ai ka ushtruar prej 12 vitesh dhunë fizike dhe psikologjike, në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur ndaj saj dhe fëmijëve të mitur, dhe së fundmi i ka mbajtur të gjithë të mbyllur në shtëpi, duke i kërcënuar nëse dilnin jashtë.
Djali i mitur ka dhënë një dëshmi tronditëse mbi atë që ndodhte brenda banesës së tyre në Tiranë. Prej një viti në shtëpi mungonte energjia elektrike, për shkak se familja nuk kishte para të paguante dritat. Po ashtu ai tregon se babai ishte kthyer nga Italia 20 vite më parë, por nuk kishte punuar në Shqipëri. Së fundmi Laçi kishte nisur të praktikonte edhe fenë myslimane dhe shkonte çdo të premte në xhaminë e Medresesë së Tiranës.
Në dosjen hetimore konstatohet se dy djemtë e Laçit janë në gjendje shumë të rënduar psikologjike, pasi kohët e fundit nuk merrnin më as mundimin për t’i kërkuar babait që të dilnin.