Emergjencat civile, Peleshi: Financim 30 milionë euro nga qeveria italiane
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka folur për planet e qeverisë për masat e emergjencave civile. Peleshi tha se do të përdorej një fond shtesë prej 200 milionë lekësh për emergjencat civile, teksa shtoi se qeveria italiane do të bëjë një financim prej 30 milionë eurosh për emergjencat civile në Shqipëri.
“Është miratuar një projekt vendim që ka lidhje me gjithë masat tona në mbështetje të emergjencave civile. Bëhet fjalë për një fond prej 200 milionë lekësh e thënë ndryshe 2 milionë dollarë, pjesë e paketës prej 20 milionë dollarë që buxheti i këtij viti ka alokuar për emergjencat civile në gjithë vendin.
Ky do jetë vit i rëndësishëm për emergjencat civile. Këtë vit do jetësohet financimi i qeverisë italiane prej 30 milionë eurosh, që do të mbështesë plotësisht bashkitë dhe gjithë sistemin nga niveli vendor deri tek ai qëndror për përballimin e emergjencave civile”, tha Peleshi.