Flet Mjeku: Fëmija i plagosur me thikë pranë zemrës është i intubuar dhe në gjendje kritike
Mjeku kirurg Fitim Shini ka dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të një 15-vjeçari, i cili u plagos rëndë mëngjesin e sotëm në Durrës gjatë një konflikti mes disa gjimnazistëve.
Sipas mjekut, i mituri mbërriti në urgjencë me katër plagë në zonën e gjoksit, ku njëra prej tyre depërtonte deri pranë zemrës, duke shkaktuar gjendje kritike.
“Fëmija erdhi në urgjencë me disa plagë, katër në rajonin e gjoksit, ku njëra prej tyre depërtonte në zemër dhe ka shkaktuar gjendjen e rënduar. Për momentin ndodhet në Reanimacion, i intubuar dhe gjendja vazhdon të jetë e rëndë,” tha mjeku Shini.
Ai shtoi se gjatë trajtimit, pacienti ka marrë tre flakone gjak dhe se situata mbetet serioze, por shpreson që në 24-48 orët e ardhshme gjendja e të miturit të stabilizohet dhe ai të dalë nga Reanimacioni.
“Shpresojmë që në orët në vijim situata të përmirësohet. Ekipi ynë po monitoron vazhdimisht pacientin dhe po ofron trajtimin më të mirë të mundshëm,” u shpreh më tej mjeku.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitet, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion shtesë për shkaqet e konfliktit dhe masat e ndërmarra ndaj të miturve të tjerë të përfshirë.
KOHA JONË SONDAZH

