Masa të rrepta, në Rinas prangoset turku i kërkuar nga Gjermania

Policia e Shtetit ka bërë me dije sot se ka shtuar masat në pikat tokësore të kalimit kufitare, në porte e aeroporte, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore për të shmangur radhët e gjata për shkak të fluksit në rritje të shtetasve që vijnë për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri.

Në kuadër të këtyre masave janë ndaluar edhe persona të cilët kanë qenë në kërkim apo edhe janë kapur në flagrancë për shkelje të ligjit. Në Rinas gjatë kontrolleve intensive, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, është ndaluar dhe arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, një shtetas turk B.T, 33-vjeç.

Ai ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden/Gjermani. Nga shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit kosovar Z.K, 53-vjeç banues në Kosovë. Ai akuzohet se për të kaluar kufirin ka përdorur pasaportë kosovare dhe një leje qëndrimi gjermane në emër të një shtetasi tjetër, duke shfrytëzuar ngjashmërinë.

“Policia Kufitare vijon kontrollet e alternuara në bazë të riskut dhe me përzgjedhje, si dhe në kufirin jeshil me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare”, njofton policia.

SHKARKO APP