Moti i keq, 6 akse rrugore të dëmtuara nga reshjet. ARRSH: Do ndërhyjmë pas qetësimit të situatës
Moti i keq ka shkaktuar probleme të shumta. Reshjet e borës dhe shiut që kanë përfshirë Shqipërinë javën e fundit kanë shkaktuar probleme për qarkullimin në disa akse rrugore. Autoriteti Rrugor Shqiptar bën me dije se më e vështirë situata ka qenë në zonën e veriut.
“Situata më problematike paraqitet në veri ku ka patur reshje bore në zonat malore dhe në lartësitë mbi 700 m kemi patur shumë reshje bore, ndërsa në jug vetëm në vende të caktuara sepse trashësitë e lehta të borës deri në 10 cm për ne nuk janë problem”.
Përveç rrëshqitjeve të dherave dhe gurëve, si rasti i aksit që lidh shëtitoren Taulantia me zonën e Currilave në Durrës, në mjaft rrugë nacionale ka patur cedim për të cilat ARRSH bën me dije se do ndërhyhet vetëm pas qetësimit të situatës.
“Problematike është që pas reshjeve të tilla me intensitet ato japin efekte në rrugë. Kemi urën e Leklit-Përmet rrëshqitje muri goxha e madhe, por që do ndërhyhet nga kompanitë kontraktore pasi të largohet problematika. Ka punë për të ndërhyrë në Qafë Mali-Fierzë, Qafë Laç-Koman, kemi Sopot-Kërnaj, plasaritje rrugë në Tamarë-Vermosh. Shumë problematike kemi në jug Berat-Çorovodë dhe po hartohet për largimin nga kjo gjurmë dhe krijimin e një gjurme të re”.