Plagosi kryebashkiakun, autori: Shkak pushimi nga puna

Ditën e nesërme (e martë), Gjykata e Lushnjes do të japë masën e sigurisë për Orgest Xhelilin, i cili akuzohet për plagosjen e kryebashkiakut të Divjakës, Fredi Kokoneshit dhe shoferit të tij, Gazmend Bullari. Ai është marrë në pyetje nga hetuesit, para të cilëve e ka pranuar autorësinë e plagosjes së dyfishtë. Për të pushimi nga puna ka qenë pikënisja e konfliktit.

Gjithçka ka ndodhur në momentin kur kryebashkiaku po futej për në zyrën e tij. Xhelili i ka dalë para dhe i ka sharë e ofenduar dhe si kryefjalë të zënkës së tij ka pasur largimin e punës, që kishte ndodhur rreth 1 viti e gjysmë, por që 46-vjeçari nuk e kishte harruar.

Sipas dëshmisë së të plagosurve, ata janë përpjekur ta qetësojnë, por në momentin që kryebashkiaku Kokoneshi ka kthyer kurrizin për t’u larguar, Xhelili e ka goditur dy herë me thikë pas shpine, duke e prekur në shpatull dhe brinjë.

Për momentin, asnjë nga avokatët e Lushnjes nuk ka pranuar ta përfaqësojnë me vullnet të lirë autorin e dyshuar të plagosjes së dyfishtë, dhe avokati do përcaktohet nga shteti. Edhe pse ngjarje e bujshme, po kalon në heshtje nga politika.

SHKARKO APP