‘Pluhur zane”/ Tirana e ”pushtuar” nga kanabisi, edhe 3 vajza pjesë e grupit
Gjykata Penale la në burg 10 personat e arrestuar, pasi shpërndanin droga të forta në ambiente të ndryshme të Tiranës, kryesisht në lokalet pranë shkollave. Në total gjatë operacionit “Harta” u arrestuan 20 persona dhe 4 të tjerë u shpallën në kërkim. Shtrirja e aktivitetit të tyre ishte e ndarë në 11 zona të ndryshme duke përfshirë këtu 28 lagje.
Pas qindra orëve përgjimesh dhe vëzhgimesh u zbulua se për kokainën kodi ishte ”pluhur zane”, që dyshohet se vinte nga Fushë Kruja. Kode të tjera ishin edhe ”vëllai i madh”, kur bëhej fjalë për sasi të madhe kokaine dhe ”vëllai i vogël” kur ishte sasi më e vogël, si 0.5 gramë apo 1 gramë kokainë.
Për shitjen e kanabisit, anëtarët e dy grupeve përdornin kodin ”seqe”, duke specifikuar përkatësisht edhe sesa qese shisnin. Pjesa më e madhe e kanabisit shitej pranë shkollës “Petro Nini”. Një nga të arrestuarit, Dorjano Çela ishte personi që kishte siguruar klientët në këtë gjimnaz.
Në këtë aktivitet ishin edhe tre vajza, ku një prej tyre ndodhet në kërkim dhe rezulton sipas sistemit TIMS dhe është larguar në Itali më datë 14 mars, një javë para operacionit.