Shoqata e Siguruesve: Përgjegjësia për sigurinë rrugore s’është vetëm e drejtuesve
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë shpreh shqetësim për situatën në disa akse rrugore të Veriut dhe Verilindjes, ku moti i keq, bora dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe rritje të aksidenteve rrugore.
Sipas shoqatës, përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm mbi drejtuesit e automjeteve, pasi mirëmbajtja rrugore ka detyrime të qarta kontraktuale dhe ligjore për pastrimin, kriposjen, sinjalistikën dhe menaxhimin e rrezikut.
Shoqata thekson se në disa segmente rrugore ndërhyrjet e kontraktorëve kanë qenë të vonuara ose të pamjaftueshme, duke rritur rrezikun për qytetarët dhe mjetet.
Njoftimi i Shoqatës së Siguruesve të Shqipërisë:
Për situatën në akset rrugore të Veriut dhe Verilindjes, si pasojë e motit të keq
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë shpreh shqetësimin për situatën e krijuar në disa akse rrugore të Veriut dhe Verilindjes, ku moti i keq, bora dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi serioze në qarkullim dhe rritje të ndjeshme të aksidenteve dhe dëmeve materiale.
Në këto kushte, është e papranueshme që përgjegjësia të lihet vetëm mbi drejtuesit e automjeteve, ndërkohë që mirëmbajtja rrugore ka detyrime të qarta kontraktuale dhe ligjore për pastrimin, kriposjen, sinjalistikën, menaxhimin e rrezikut dhe njoftimin në kohë.
Shoqata vëren me shqetësim se në disa segmente rrugore ndërhyrjet e kontraktorëve të mirëmbajtjes kanë qenë të vonuara, të pamjaftueshme ose aspak të dukshme, duke rritur rrezikun për qytetarët, për mjetet dhe për sigurinë publike.
Siç ndodh në vendet e Rajonit, kriposja dhe trajtimi parandalues i akseve kritike duhet të jetë standard minimal (si në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut), sidomos në periudhat e paralajmëruara me ngrica dhe reshje.
Shoqata thekson se dëmet që sot mbulohen nga sigurimet nuk janë vetëm “pasojë e motit”, por edhe rezultat i mungesës së masave të detyrueshme të mirëmbajtjes, në këto raste duhet të funksionojë mekanizmi i përgjegjësisë rrugore, për të mos ia lënë gjithë koston qytetarëve dhe siguruesve.
Kërkohet transparencë dhe përgjegjësi për zbatimin e kontratave të mirëmbajtjes dhe monitorimin e tyre.
Siguria rrugore nuk mund të jetë “përgjegjësi individuale” vetëm e drejtuesve të automjeteve. Ajo është përgjegjësi e përbashkët dhe fillon me rrugë të mirëmbajtura, të kriposura dhe të menaxhuara sipas standardeve.
Shoqata shpreh gatishmërinë për bashkëpunim institucional për të ndërtuar praktika të qarta dhe të zbatueshme për menaxhimin e riskut në rrugë gjatë motit të keq, në interes të sigurisë së qytetarëve dhe stabilitetit të sistemit të sigurimeve.
KOHA JONË SONDAZH

