Vasili: Çmimi i naftës në Shkup, 55 lekë me lirë se në Shqipëri. SPAK-u rri e vështron sesi vjedhin
Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me rritjen e çmimeve të karburanteve. Ai ka krahasuar çmimin e naftës në vendin tonë me atë të Maqedonisë së Veriut, ku thotë se teksa Bordi e rriti në 208 lekë, atje çmimi ka rënë ndjeshëm. Sipas Vasilit, SPAK-u rri dhe vështron sesi vjedh qeveria.
“Qeveria e Rilindjes vazhdon vjedhjen monstruoze me çmimin e naftës! Bordi i hajdutëve, që duhet të ishte shkrirë me kohë e me vakt, vazhdon rritjen e çmimeve! Pardje, Bordi i Hajdutëve u shfaq prapë pas 28 ditësh dhe rriti çmimin dhe e çoi në 208 lekë për litër naftë.
Ndërkohë që çmimet e naftës në bursë janë ulur, dhe kursi i dollarit ka rënë, hajdutët e Bordit nuk ndalen. Në Maqedoninë e Veriut, çmimi është vetëm 153 lekë për litër naftë.(81.5 denarë). Pra në Maqedoninë që s’ka as porte dhe as nuk prodhon naftë, çmimi është 55 lekë më i ulët! Kur çmimi i naftës në bursë ishte 2 vjet më parë njëlloj si sot, çmimi i naftës atëherë ishte rreth 174 lekë litri, ndërsa sot në të njëjtat kushte është mesatarisht 330 lekë më shumë.
SPAK-u rri e vështron se si vjedhin këta, bile vjedhin edhe SPAK-un vetë kur prokurorët u hedhin naftë makinave të tyre. Këta nuk ndalen në hajdutërinë e tyre. Ka vetëm një rrugë: Ndryshim me çdo çmim”, shkruan Vasili.