Vdekja e Lear Kurtit, dëshmia e mjekëve: Mbërriti i pajetë. Motra: Kishte plane për në Francë

Jeta e 32-vjeçarit Lear Kurti është ende në diskutim. Vdekja e mistershme, dhe shumë pikëpyetje ka ngjarja që trazoi vendin për disa ditë, ku edhe protestat nuk munguan. Në emisionin “Me zemër të Hapur”, ka folur motra e Learit nga babai, e cila ndodhet jashtë vendit dhe ka rrëfyer detaje për vëllain e ndjerë.

”Më ka thënë që nuk kishte shumë raporte me të atin, por ishte babai i tij dhe e donte. Learin nuk e shikonte ditë për ditë. Leari jetonte me Fatmirin. Babai nuk jeton më. Ne nuk kemi jetuar me babin. Kam jetuar kur isha shumë e vogël dhe nuk e mbaj mend”.

Nga ana tjetër, motra tregon edhe planin e Learit për të jetuar jashtë. ”Leari ishte shumë i zgjuar, lexonte shumë libra. Kishte gjetur një punë në Francë dhe do vinte në Francë. Unë nuk jetoja me Learin, e shihja vetëm në kamera. Nuk e kam parë kurrë në ndonjë gjendje të keqe siç janë njerëzit që marrin narkotikë”.

Prokuroria e Tiranës ka përfunduar marrjen në pyetje të mjekëve dhe infermierëve që ishin në turnin e tretë në spitalin e Traumës, ku Lear Kurti u deklarua i vdekur. Ata kanë qëndruar tre orë në prokurori dhe sipas kartelës, del se 32-vjeçari mbërriti pa shenja jete në spital. Mjekët kanë dhënë ndihmë mjekësore por ka qenë e pamundur që të kthehet në jetë.

Vdekja është mbuluar me mister. Kjo ka ardhur si pasojë e deklaratave kontradiktore që kanë pasur në fillim mes policisë, AMP-së si edhe spitalit të Traumës. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.

SHKARKO APP