13 Tetori, LSI dhe PR dërgojnë kërkesën për regjistrim në KQZ
Lëvizja Socialiste për Integrim, ka depozituar pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, kërkesën për tu regjistuar si subjekt politik në zgjedhjet lokale të 13 tetor, sipas dekretit të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Kërkesa është depozituar nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari. Sot është afati i fundit për regjistrim e partive për zgjedhjet lokale të 13 tetorit, sipas Kodit Elektoral. Edhe Partia Republikane ka depozituar të njëjtën kërkesë për regjistrimin në zgjedhjet, ndërsa nuk dihet vendimi i Partisë Demokratike.
Mbledhja e thirrur nga kryetari i KQZ-së të shtunën e 3 gushtit dështoi për shkak se nuk kishte kuorumin. Në mbledhje u paraqit vetëm kryetari Klement Zguri ndërsa 4 anëtarët e tjerë nuk ishin me pretendimin se ishin me leje vjetore.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha se është e drejta e çdo partie për t’u regjistruar ose jo në zgjedhjet e 13 tetorit, ndërkohë që ai vetë nuk tërhiqet nga kërkesa për largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit, për të negociuar më pas hyrjen në zgjedhje.