17 fletë arreste në Durrës për ndërtimet, 9 arrestohen, 8 arratisen

Prokuroria dhe Policia janë vënë në lëvizje për nxjerrjen e përgjegjësve për ndërtesat që morën jetën e 52 personave në tërmetin e 26 nëntorit. Prokurorja e Durrësit, Anita Jella dhe shefi i policisë së Durrësit njoftuan se janë lëshuar 17 urdhër arreste për zyrtarë shtetëror që kanë përgjegjësi për banesat në Durrës dhe për subjekte private që kanë kryer punimet, në godinat ku humbën jetën qytetarët. Nga 17 urdhër arreste 9 persona kanë rënë në pranga, ndërkohë 8 të tjerë janë shpallur në kërkim. Ndërkohë flitet dhe për shumë të tjerë që janë në hetim, por Policia dhe Prokuroria nuk kanë dhënë shifra dhe detaje.

Policia konfirmoi se një pjesë e personave nën hetim janë arratisur nga Shqipëria, menjëherë pas rënies së tërmetit dhe publikimit të detajeve mbi tragjedinë. “Vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, por për arsye  hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre. Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti”,- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

17 urdhër arrestet janë lëshuar në Durrës ku humbën jetën 24 persona. Ndërkohë viktimat e tjera u shënuan në Thumanë, ose vdiqën në spital pas plagëve të marra nga shembja e godinave gjatë tërmetit.

Ajo që bie në sy është se hetimi nuk ka shkuar tek deri tek kriteret e dhënies së lejeve të ndërtimit, por vetëm të zbatuesit e projekteve dhe përgjegjësit për kushtet e ndërtimit dhe të sigurisë.

Emrat e personave të ndaluar dhe akuzat që rëndojnë mbi ta, sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit:

1-Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

2-Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

3-Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

4-Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja me dashje”.

5-Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

6-Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

7-Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

8-Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës  penale  “Shpërdorimi i detyrës.

9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

VIDEO/Deklarata e prokurorisë dhe policisë për hetimet dhe arrestimet në Durrës

Konferencë e përbashkët për median mes Policisë së Durrësit  dhe Prokurorisë

SHKARKO APP