72 mijë viktima dhe 1.3 milionë njerëz të prekur nga COVID19 në gjithë botën
Pandemia e koronavirusit ka shënuar një numër rekord viktimash dhe personash të prekur në gjithë botën. Ditën e sotme numërohen 72 769 viktima. Numri i të prekurve është 1 milion e 318 mijë, ndërsa numri i personave të shëruar është 276 mijë.
Shteti me numrin më të madh të viktimave është Italia. Ky vend numëron sot, në total, 16523 të vdekur dhe 132 mijë persona të prekur. Vetëm sot numri i viktimave është 636.
Spanja është shteti i dytë për nga numri i viktimave. Në këtë vend numërohen, në total, 13169 viktima dhe 135 mijë persona të prekur. Ditën e sotme janë shënuar 528 viktima.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi që ka numrin më të madh të njerëzve të infektuar. Të dhënat e sotme flasin për rreth 352 mijë persona të prekur dhe 10369 viktima. Numri i viktimave të regjistruara në 24 orët e fundit është 753.
Gjermania është vendi i katërt në botë për numrin e personave të prekur, por ka më pak viktima se shumë shtete të tjera. Në total në Gjermani numërohen 101 mijë të infektuar dhe 1612 viktima.
Në Britaninë e Madhe numri i viktimave ka arritur në 5373. Ditën e sotme janë shënuar 439 viktima. Ndërsa numri i të prekurve është 51 mijë.
Franca ka arritur gjatë dy ditëve të fundit pikun e epidemisë me një numër të lartë viktimash. Në total në këtë shtet janë 92 mijë persona të prekur dhe 8087 viktima.
Në Shqipëri janë regjistruar gjithsej 377 raste me koronavirus dhe 22 viktima.