Njerëzit rrugëve e në panik, kurse Rama i turret kompetencave të Metës

-Opozita po hesht, për momentin, sepse po merret që të zgjidhet kriza e pas tërmetit nga mazhoranca, ndërsa PS-ja punon skutave e pabesisht për të ndryshuar kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës.

-Në kulmin e krizës humanitare dhe pasojave të tragjedisë së tërmetit, qeveria ka gjetur kohë që të hartojë nisma ligjore që nuk lidhen me interesat e qytetarëve, por me pushtetin e PS dhe kryeministrit. Në vend që të merret me mijëra të rrënuar nga tërmeti apo si të zgjidhë krizën ekonomike, kryeministri ka hallin se si të përlajë gjykatën kushtetuese, edhe në këto ditë të qametit që ka pushtuar vendin.

Prej 15 ditësh vendi po kalon një nga ditët më të vështira të Kombit. Tërmeti i 26 nëntorit u mori jetën 51 qytetarëve dhe plagosi rreth 1 mijë të tjerë. Gati 10 mijë shqiptarë flenë në çadra dhe kampe, mijëra të tjerë nuk dinë si do e kalojnë dimrin me banesat e dëmtuara nga tërmeti. Pasojat e fatkeqësisë natyrore janë ndër më të mëdhatë që ka njohur vendi. Shqiptarët po përballen me ditët më të vështira dhe në këtë situatë opozita ka ulur “armët” duke i ofruar një armëpushim politik qeverisë “Rama”. Përgjegjësia direkte e qeverisë për mosmarrjen e masave pas tërmetit të 21 shtatorit, keq menaxhimi i situatës pas 26 nëntorit dhe dhjetëra skandale që dalin çdo ditë, janë arsye të mjaftueshme që do e nxirrte çdo opozitë në rrugë. Duke parë krizën humanitare të qytetarëve të prekur dhe situatën e rëndë ekonomike, opozita ka zgjedhur të heshtë duke u solidarizuar me qytetarët dhe duke e kursyer qeverinë. Kjo strategji armëpushimi vlen për opozitën, por jo për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama.

Në kulmin e krizës humanitare dhe pasojave të tragjedisë së tërmetit, qeveria ka gjetur kohë që të hartojë nisma ligjore që nuk lidhen me interesat e qytetarëve, por me pushtetin e PS dhe kryeministrit. Dje, ekspertët e PS hodhën në media dy projekte ligjore që ndryshojnë ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera të drejtësisë. Thelbi i kërkesës së PS-së ndodhet në projektligjin e Kushtetueses. PS kërkon që nëse një anëtarë i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret nga Presidenti për të bërë betimin, procedura e betimit të quhet e kryer me shkrim. Nisma ligjore e PS është jo vetëm idiotësi politike, pasi bazohet vetëm në rastin e Arta Vopsit që u betua në një notere, por dhe antikushtetuese. Procedura e betimit nuk është akt i thjesht formal, por normë juridike për marrjen e detyrës. Betimi me shkrim është një koncept që zhvleftëson gjithë procedurat ligjore e kthen aktin në një marrëdhënie tregtare kundrejt pagesës, mes zyrtarit dhe noterit. Por çështja e betimit me shkrim, me gojë, të noteri apo te përmbaruesi është më pak e rëndësishmja.

Nisma ligjore e PS-së, nëse do të shkojë për votim në Kuvend në mënyrën si u prezantua në media, është një puç kushtetues. Neni 129 i Kushtetutës thotë se anëtari i Gjykatës Kushtetuese betohet para Presidentit të Republikës para se të marrë detyrën. Këtë të drejtë që ligji themeltar i shtetit ja njeh Presidentit, PS kërkon që t’ja heq me një ligj të zakonshëm. Juridikisht një ligj i tillë do të rrëzohej direkt nga Gjykatat Kushtetuese. Por qeveria pikërisht me anë të këtij ligji kërkon që të kapë vetë Gjykatën Kushtetuese. Lidhur me projektin e fundit të PS-së, Presidenti Ilir Meta deklaroi dje se është një provokim që do të marrë përgjigjen e duhur ligjore. Por ajo që ngjan e çuditshme në këtë histori është se qeveria ndodhet në tragjedisë më të madhe shqiptare të shkaktuar nga tërmeti. Prej saj kërkohet çdo ditë që të gjejë zgjidhje për banorët e prekur dhe të marrë masa për ndërtesat që rrezikojnë jetë të tjera. Janë miliarda lekë që duhen për investime dhe qeveria nuk i ka, pasi shumicën e ka ndarë me oligarkët. Është një emergjencë që kërkon reagim të shpejtë dhe ndërhyrje ligjore për ndërtimet e reja dhe ndëshkimin e atyre të vjetrave.

Në vend të këtyre përpjekjeve shohim që Edi Rama nuk ka hallin e qytetarëve të prekur nga tërmeti. Nuk shqetësohet për mijëra shqiptarë që rrinë me frikë në banesa. Nuk shqetësohet se çfarë do bëhet me mijëra godina të pabanueshme. Në vend të gjithë këtyre problemeve që do ishin axhendë kryesore e çdo qeveria norma, kryeministri miraton një projekt që i shton kompetencat e tij. Është e njëjta lojë politike që e ka bërë dhe më parë, vetëm se tani duke shfrytëzuar me mjeshtëri fatkeqësinë  e tërmetit po e bënë me më pak zhurmë. Në thelb, kryeministrin nuk e shqetëson zgjidhja e krizës së tërmetit, por mbajtja me çdo kusht e pushtetit. /Mili Xhani/

SHKARKO APP