Kryeministri prapë tek Ilir Meta
Lapsi shkruan sot se “Një ditë më parë e ktheu nga rruga, në afërsi të instalacionit “Bunkeri”, duke ia refuzuar takimin. Ndërsa sot Ilir Meta e la të priste Edi Ramën për afro 40 minuta në paradhomën e zyrës së tij, në Kryesinë e Kuvendit. Edi Rama u ngjit në zyrën e Metës në orën 9:00. Por kryetari i Kuvendit e kishte marrë me nge dhe mbërriti në zyrë 40 minuta me vonesë. Gjatë kësaj kohe Rama nuk e humbi durimin dhe e priti në paradhomën e zyrës. Dy krerët e mazhorancës u takuan edhe mbrëmë në darkë për reformën në drejtësi, pak orë pasi Ilir Meta foli hapur për një qëndrim të LSI që nuk shkon në të njëjtën rrugë me planet e Ramës. “Reforma në Drejtësi – tha Meta – nuk mund të bëhet pa opozitën… Dhe politika e faktit të kryer është e papranueshme”. Ky mesazh e ka shqetësuar Edi Ramën, që i ka shtuar kërkesat për ta takuar Metën, në një kohë kur kreu i LSI nuk duket më kaq i interesuar për ta patur në një tavolinë aleatin e tij”.
“Koha Jone” u interesua pranë selisë se kryesisë se Kuvendit nëse vertet Edi Rama ka pritur 40 minuta në paradhomën e Ilir Metës për t’u takuar me atë dhe kishte përgjigje të ndryshme. Një pjesë e rojeve të Kryesisë thanë se nuk janë kaq minuta, por me pak, kurse një nga zyra e medias në kryeministri theksoi se ka pritur jo me shumë se 18 minuta. Ndërsa një prej rojeve të koridorit tek zyra e Kreut të Parlamentit tha se kryeministri rrinte qetë-qetë, duke soditur pikturat në koridor dhe ishte shumë në humor.Aq në humor sa filloi batutat me rojet e Ilir Metës.
Sa priti Edi Rama? Jo me shumë se 40 minuta, kjo është e saktë.