A ka projekt për të zëvëndësuar Erion Veliajn me Belinda Ballukun apo Arben Ahmetaj?!*

Mëhallat e Tiranës kumbojnë në historinë e kryeqytetit si qytet – ngjashëm me hijen e traditës profetike së kryeministrit përbri postit të kryebashkiakut.

Logjika brenda Partisë Socialiste ka provuar se nga kryeministër i qytetit (titull që përfton kryetari i bashkisë më të madhe për numër banorësh dhe buxhet) vendoset një bazë e fortë për kryeministër të Shqipërisë.

Për analistët, zvetënimi i figurës së Saimir Tahirit brenda PS-së, ka vështirësuar hierarkitë e garës.

Koha për një grua në krye të bashkisë – Belinda Balluku?!

Koha për një njeri të besuar si Arben Ahmetaj që udhëhoqi rindërtimin në rang kombëtar?!

Apo Rama do të dëshirojë një mandat të katërt që ndërlikohet prej konsumit politik.

Kjo është dilema që ngrin buzët e socialistëve. Kush do të jetë e ardhmja e Kryeministrit të Tiranës?

Veliaj është krahasuar shpesh me një figurë të përafërt politike dhe tipologjie si kryeministri kanadez, Justin Trudeau.

Por, në thelb krijohet një ndasi shumë e madhe midis traditës së familjes “Trudeau” dhe një figure që erdhi nga aktivizmi drejt pushtetit.

“Jam rritur në Tiranë, në zonën e shkollës ‘Mihal Grameno’. Në atë kohë, pallatet bëheshin me punë vullnetare. Të dy prindërit e mi kanë qenë ushtarakë. Mamaja ime është me origjinë nga Vlora. Babai i saj ka qenë ushtarak”, kujton fillimisht ai.

Sa i përket fëmijërisë, Veliaj rrëfen se ka qenë periudhë e bukur, por jo komode.

E ardhmja “pa gjurmë”

 Po njësoj mund të përshkruhet edhe qëndrimi lidhur me një mandat të tretë në krye të bashkisë më të madhe në vend.

“Zoti Veliaj është një aktor i mirë politik dhe me nuhatje të gjerë, që vjen edhe nga puna që ka bërë me shoqërinë civile”, tregon fillimisht analisti Ben Andoni për Albanian Post.

Komoditeti i kryebashkiakut nuk varet më nga përballjet me polin opozitar – që mungoi në zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2019 për shkak të bojkotit të njëanshëm të tyre nga blloku PD-LSI.

Vetë Veliaj deklaronte kohë më parë se katërvjeçari i ardhshëm do të vinte “nga besimi brenda partisë”.

“Indirekt kjo lexohet lehtë, por direkt të gjithë e duan për momentin Veliajn sepse njeh terrenin dhe mbi të gjitha sesi merret rezultati në komunitet”, vijon Andoni.

Sipas analistit, Veliaj me elegancë thotë se i duhet  votëbesimi i njerëzve të PS-së për kredon morale sepse atë reale ia jep puna që ka bërë për këtë forcë.

Me largimin e pazyrtarizuar por të paralajmëruar të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas përfundimit të këtij mandati qeverisës nga “gjëmbat e trëndafilit” – referuar logos së PS-së – beteja do të parashtrohet në disa terrene për “numrin një të Tiranës”.

“Veliaj ka mundësinë më të madhe deri tani që të ndjekë këtë traditë. Problem i vetëm do jetë sa mirëkuptues do jetë fillimisht Rama, që të lerë staturën e Veliajt të ketë vendin e duhur te PS-së por mbi të gjitha të fillojë të bëhet e qartë se pas mandateve të suksesshme si kryetar bashkie, ai ka parametrat që kërkon puna e një kryeministri”, shton Andoni në analizën e tij.

Gjurmët e së kaluarës

Pa përmbyllur ende këtë dualitet brenda partisë dhe votëbesimit të mandatit të tretë, në fëmijërinë e tij, Veliaj do të përballej me mungesën e babait dhe ngarkesës së përgjegjësive që në moshë të herët.

“I ati i kishte vdekur pak kohë më parë nga kanceri, ndërsa e ëma, Shqiponja, ia besoi djalin të vëllait. Asokohe, shqiptarët largoheshin masivisht nga vendi i tyre i izoluar hermetikisht për më shumë se katër dekada, disa rrëmbenin anijet për t’u nisur drejt Italisë, të tjerë i drejtoheshin në këmbë kufirit në jug”, shkruante gazeta zvicerane, “Neue Zuercher Zeitung”.

Në moshën 17-vjeçare, Veliaj fitoi një bursë për të studiuar në një universitet të Shteteve të Bashkuara.

Dy vite më vonë ai do të rikthehej në Shqipëri – më saktësisht në veri për të punuar për një organizatë amerikane.

Kjo e fundit i vinte në ndihmë refugjatëve kosovarë.

Puna në fushën e ndihmës humanitare do të vijonte edhe në Kongo-Kinshasa, El Salvador, Afrikë të Jugut dhe në Ruandë.

Rikthimi i tij përfundimtar në Tiranë do të ishte në moshën 24-vjeçare, kur sapo ishte diplomuar.

Aritmetikë politike

 “Veliaj në fillimet e tij u pa si një nga përfaqësuesit e një klase të re politike, për të cilët kishte nevojë Shqipëria”, deklaron analisti Andoni.

Sipas tij, në fillim u vlerësohej naiviteti dhe angazhimi, por me kohë u pa që ata që mbijetuan si Veliaj treguan shumë aftësi organizimi, karakter politik dhe përshtatshmëri me modulin shqiptar.

Kryebashkiaku gjatë rrëfimit të tij ndal te njohja me Ramën, e cila erdhi në vitin 2004.

Në këtë periudhë Lëvizja “Mjaft” sapo kishte filluar aktivizmin e saj.

“Takimi ka qenë rastësor”, tregon kryebashkiaku, “gjatë një pritjeje në Ambasadën Amerikane”.

Sipas tij, asokohe në biseda e sipër me ambasadorët – emri i Ramës përflitej si një histori suksesi.

Andoni tregon se ky moment nuk nënkupton se ambasadat nuk kanë ndjekur dhe njerëz të tjerë.

Për analistin vetë MJAFT, organizata që i drejtohemi si logjikë, ka nxjerrë shumë individë që tashmë janë dhe në armiqësi me njëri-tjetrin.

“Për shumë të rinj në vitet 2000 që ndiheshin të papërfaqësuar, Edi Rama ka qenë oazi i jetës për ta, edhe pse gjendja e vendit nuk ishte e mirë…”, vijon Veliaj në rrëfimin e tij.

Jo pak herë, kryebashkiaku ka ravijëzuar se transformimi i të majtës shqiptare me Edi Ramën ishte një histori absolute suksesi.

“Zgjuarsia e Ramës ishte se e shfrytëzoi energjinë e tij dhe të grupit të tij, një pjesë e të cilëve janë në poste të ndryshme, për të reformuar vjetërsinë e PS-së”, ndalet më tej Andoni.

Provë pas prove – mandat pas mandati

Më 30 korrik të vitit 2015, Veliaj do të niste një maratonë pa foto-finish në krye të Bashkisë së Tiranës.

Ai do të zëvendësonte në këtë detyrë, kreun aktual të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.

Pas betimit, Veliaj do të shprehte nevojën e bashkëpunimit me të gjitha palët për qytetin.

“Unë jam kryetari i bashkisë i çdo qytetari të Tiranës, i majtë apo i djathtë. Prandaj, sot ju shtrij dorën e bashkëpunimit të gjithë atyre që kanë diçka për të dhënë për këtë qytet. Sepse mund të jemi socialistë apo demokratë, por mbi të gjitha jemi qytetarë të Tiranës. Prandaj, le t’i futemi punës që sot”, nënvizonte kryebashkiaku.

Tirana filloi të luante sërish notat e simfonisë të ish-kryebashkiakut Edi Rama.

Projektet e lëna përgjysmë morën menjëherë hov duke angazhuar arkitektët më të mirë bashkëkohorë të Evropës.

Ndryshimi duhej udhëhequr në zemër – sheshi Skënderbej.

Sheshi Skënderbej ishte projekti i parë madhor i nisur nga Edi Rama si kryebashkiak i Tiranës me një konkurs ndërkombëtar të arkitekturës të fituar nga 51N4E në bashkëpunim me artistin shqiptar Anri Sala në vitin 2008.

Historiku dhe rrjedha e historisë

 “Në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, Qendra e Tiranës përjetoi transformimin më të rëndësishëm në historinë e saj. U ndërtuan objektet e reja qeveritare dhe u konturua sheshi Skënderbej”, sjell në vëmendje arkitekti Ndriçim Baliaj.

Sipas Baliajt, ndërtimi i tyre ishte një hap përpara në shndërrimin e Tiranës në një kryeqytet modern, evropian e perëndimor.

Në vitet 1929-31, vijon arkitekti, Qendra e Tiranës u kthye në shesh ndërtimi e konceptuar nga arkitektët italianë Armando Brasini dhe Florestano de Fausto.

“Ndërtimi i tyre ishte sipas stilit neoklasik por në të njëjtën kohë ato mbartnin të gjithë ngarkesën e historisë sonë dhe simbole të saj”, thekson Baliaj.

Ndërtesat e ministrive si dhe ato të institucioneve të tjera që ndodhen në qendër të kryeqytetit dhe në aksin kryesor të tij  në vitin 2000 u shpallën “Ansambël Monument Kulture”.

Ky projekt urban, për arkitektin, synonte ta kthente Tiranën e kohës në një qytet modern.

“Në ditët e sotme nuk mund të themi që gjithçka shkon vaj në urbanistikën e kryeqytetit”, nënvizon Baliaj.

Arkitekti rendit disa arsye duke filluar nga ndërtimet pa kriter.

Sipas tij, banorët dhe vizitorët e Tiranës nuk janë të kënaqur me fasilitetet që do duhej te ofronte.

Ai përmend parqet, hapësirat publike të përbashkëta, hapësirat e gjelbërta apo parkimet.

“Duhet thënë gjithashtu që prej vitesh tashmë, peizazhi i qytetit nuk merret më parasysh kur jepet nje leje e caktuar”, cilëson Baliaj.

Arkitekti sjell shembullin e projektimit të “nëntëkatësheve”, ku grupi projektues uli lartësinë e katit në mënyrë që të mos pengonte panoramën e Malit e Dajtit nga sheshi Skënderbej.

Tirana – metropol apo metropolis

“Sheshi Skënderbej është pika jonë e rezistencës”, do të shprehej këshilltari i kryetarit të bashkisë për planifikimin dhe arkitekturën, Ditjon Baboçi.

Në një rrëfim për “Building Centre UK”, e cila ka në fokus të saj mjedisin, ai tregon se si transformuan rrethrrotullimin më të madh për makinat në Ballkan – në një shesh fantastik të gjelbër dhe ekskluzivisht për këmbësorët.

“40 mijë metra katrorë asfalt u kthyen në këndin më të madh të lojërave të Tiranës, ku të gjithë mund të shijojnë hapësirën publike në ajër më të pastër me sfondin muzikor të qindra zogjve këngëtarë urbanë që banojnë në pemët e sheshit”, shton më tej Baboçi.

Masterplani i Stefano Boerit parashikon një pyll orbital prej 2 milionë pemësh rreth qytetit, ndërsa ristrukturimi i sheshit Skënderbej nga 51N4E do të krijonte një hapësirë të gjerë publike.

“Tirana po shndërrohet me shpejtësi në një metropol modern me atribute që, gjatë pandemisë, njihen si më të rëndësishme se kurrë: hapësira publike demokratike, afërsia me natyrën dhe prioritizimi i njerëzve ndaj makinave”, shkruan Building Centre.

Baliaj nuk ka qenë pro idesë së një qendre të mbyllur që mori shkas nga studimi i Boer-it.

“Përpara se të mund të propozohej diçka e tillë, duhej të zgjidheshin problemet e trashëguara, mendoj unë”, analizon arkitekti.

Ai sjell në vëmendje mospërfundimin e unazës së madhe dhe shumë akseve te tjera të domosdoshme, mosshfytëzimin e nëntokës për nënkalime dhe çështjen e parkimit për qytetarët.

“Vjena është shembulli perfekt se si në të njëjtin metër katror kalojnë këmbësori, çiklisti, tramvaji, taksia, mjetet personale të qytetarëve dhe nëntokë metroja”, deklaron për AP-në Baliaj.

Ndryshimi i bindjeve apo qasjeve

Veliaj ka qenë në qendër të kritikave pikërisht për çështjen e ndërtimeve të larta në kryeqytet.

Në vitin 2015, ai do të shprehej se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim gjatë dëgjesave të ndryshme me banorët e Tiranës.

“Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve evropiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë”, do të përmbyllte deklaratën e tij Veliaj.

Kryebashkiaku e riafirmoi shkurt se nuk do të kishte ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë.

“Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale”.

Kjo deklaratë nuk gjeti më terren pas zgjedhjeve, kur Veliaj përkrahu nevojën e kullave të larta në qytet.

“Këto sipërfaqe shkojnë në ajër, të cilën e kemi, tokë nuk kemi”, do të ravijëzonte nga e para kryebashkiaku.

Pak ditë më parë, ishte “Bloomberg” që përshkruante se në qendër të Tiranës, “ndërtesat moderne të larta po zënë vendin e përzierjes aktuale të ndërtesave të ndërtuara në mënyrë joformale dhe atyre historike”.

Baboçi do të sqaronte për “Bloomberg” se zhvilluesit inkurajohen të ndërtojnë më lart për të rritur densitetin.

“Në këmbim, ata duhet t’i japin qytetit një përqindje të caktuar të tokës përreth ndërtesës për ta përdorur si hapësirë ​​publike. Dhe sa më lart të ndërtojnë, aq më i madh është proporcioni që duhet të kthehet në qytet”, nënvizon ai.

Profecia kalon nga posti

Një shkrim i disa viteve më  parë  i “The Economist” do të ndizte për herë të parë një debat në qendër të Partisë Socialiste – me të njëjtët protagonistë.

Në artikull theksohej se Erion Veliaj, 37-vjeçari që drejton kryeqytetin e shqiptarëve, gjatë gjysmës së parë të mandatit përfundoi punët në qendër.

“Ai nuk mund të ndodhet në një post më të mirë, sepse tani çdokush mund të shohë frytet e punës së tij, ndërkohë që ai qëndron larg skandaleve që po dëmtojnë Ramën dhe qeverinë e tij”.

Por, Veliaj do të pohonte se, në mendjen e tij, ishte vetëm fitorja e mandatit të dytë si kryetar bashkie.

“The Economist” hipotetizonte për herë të parë atë që përflitej korridoreve politike – Veliaj mund të jetë kryetari i ri i PS-së.

Sipas analistit Andoni, duhet marrë parasysh se e ardhmja e PS-së nuk do të jetë kaq e këndshme dhe pa turbulenca si tani.

Kjo, sepse përballë do ketë premtimet e gjërave strategjike të Ramës dhe mbi të gjitha konsumin.

“Problem do jetë nëse në PS nuk nis një periudhë katarsisi dhe përplasjeje, që deri tani është hipotetike”, nënvizon analisti.

Egoja dhe e gjithë kurba e tij e mirëkuptojnë logjikën (profecinë), sipas Andonit, të simptomës kryebashkiaku-kryeministër.

Në këtë prizëm, Veliaj, parasheh një rrugëtim të ngjashëm si kryeministri Rama me një tog-mandatësh të përafërt.

“Veliaj përballjen e vërtetë do ta ketë me të ardhmen e tij dhe vizionin post-Rama, mënyrën sesa do të jetë në gjendje të sjellë ide shumë më novatore se paraardhësi i tij në Bashki dhe ku ta dish, po rrodhën gjërat si ai i pret, të jetë kryeministër i vendit”, përmbyll analizën e tij, Ben Andoni.

Kryebashkiaku apo numri një i bashkisë gjendet në një garë me njohjen se sa me kohën.

Për të, profecia nuk i përafron përmbushjes apo realizimit konkret. Ajo nuk gjendet më përballë tij. Posti i tij është profecia dhe Veliaj ka filluar ta ndjejë këtë.

/Albanianpost.com/

*titulli është i redaksisë www.kohajone.com

SHKARKO APP