A kishin shkuar me inçizues në xhep kundërshtarët e Lulzim Bashës?

Ditën e enjte ishte mbledhja e kryesisë së PD-së. Pati debate dhe pritej të kishte. Normale në një anormalitet funksionues të PD-së qëkur Rama dhe Basha u bënë bashkë kundër LSI dhe të tjerëve. Edhe sherri Jemin Gjana me Valbona Mezinin ishte normal në një kryesi, e cila nuk është më kryesi e një partie qëkur Lulzim Basha gaboi me kandidimet për deputet dhe palosi kundërshtarët, ndaj është shndërruar në një konglemerat kryesi.

Bile pritej edhe me keq se sa ndodhi. Lulzim Basha ka dy rrugë për ta normalizuar selinë blu: Ose pranon fraksionet në PD me statut në kongres ose i përjashton prapë me kongres dhe bën një PD të tijin. Zgjidhje tjetër, siç kanë ardhur punët në atë parti, nuk ka. Ndaj edhe bashkë, edhe të ndarë nuk duhet të pranojë Basha. Siç duket antibashët janë mirëorganizuar dhe e kanë marrë veten pas goditjes që iu bëri Basha në maj-qershor. Tashmë ka filluar faza e kundërgoditjes prej tyre. Edhe në mbledhjen e kryesisë kishin shkuar për sherr dhe e gjetën përbukuri sherrin. Mjafton ta kërkosh sherrin dhe ai të vjen vetë. Kështu kanë vepruar antiBashët; të gjithë me inçizim gati dhe nën tavolinë. Kjo të paktën u pa sot nga mediat që transmetuan videot ose më saktë zërat në mbledhje. Si rregull në një mbledhje të tillë nuk duhet patur mendja se sa po regjistron kundër Bashës, por për të folur dhe shikuar nëse ka shtigje bashkëpunimi më apo gjithçka ka mbaruar. Siç duket shumica e antiBashëve e kishin mendjen se sa ishin në rregull me regjistrimet për ti përdorur më pas në media.

Dhe realisht këtë punë e bënë mirë!

Lulzim Basha përfundimisht nuk hap udhë dhe antiBashët duhet të gjejnë tjetër zgjidhje politike dhe organizative, e jo duke shkuar për të regjistruar. Nuk i nxihet fare faqja Bashës, pas asaj që u bë natën e 17 majit, natë që tjetërsoi krejt PD-në. Ndaj harroni inçizimet ju antiBasha!

Krijoni partinë tuaj, pasi PD-në zor se e shikoni më me dylbi!

SHKARKO APP