Afrim Krasniqi: KQZ si në vitin 2005 akoma nuk ka shpall zyrtarisht rezultatin përfundimtar!
Nga Afrim Krasniqi
Retrospektivë, 2005. Fundi i muajit gusht, ende KQZ nuk kishte shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 3 korrikut. Zgjedhjet prodhuan rotacion, e djathta priste mandatin e parlamentit dhe qeverisë së re, kryeministri në detyrë Nano shumicën e kohës nuk gjendej në zyrë dhe funksionet e tij mbuloheshin nga zv/kryeministri. Opozita kërcënoi se do të mbledh vetë parlamentin nëse nuk dekretohet, ndonëse kjo ndalohej nga ligji derisa nuk kishte rezultat përfundimtar. Zgjidhja u gjet me bisedime e negociata politike në orët e fundit, KQZ shpalli rezultatin pa pritur afatin e ditëve të ankimimit dhe palës humbëse iu kërkua të mos vonojë procesin përmes ankimimeve formale. Parlamenti u ri u mblodh pasditen e datës 2 shtator, 24 orë përpara përfundimit të mandatit kushtetues të parlamentit të vjetër.
Jemi në vitin 2025. Mandati i parlamentit aktual përfundon me 10 shtator. Me të njëjtën logjikë të vitit 2025, ende procesi zgjedhor nuk është mbyllur 100%. Zgjedhjet u zhvilluan në prill-maj 2025, votimi me 11 maj, tani jemi në fundin e muajit gusht dhe ende nuk kemi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Sipas Kodit Zgjedhor do të duhet të përfundojë procesi ankimor për të shpallur rezultatin përfundimtar, i cili gjithsesi mund të ankimohet. Aktualisht KQZ ka mandatuar 139 deputetë, Kolegji Zgjedhor vendos sot për deputetin e fundit. Pas përfundimit të ankimimeve KQZ zyrtarizon rezultatet finale, e cila përmes KQZ i bëhet e ditur zyrtarisht Presidentit të Republikës, ky i fundit, bazuar në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dekreton mbledhjen e parlamentit të ri. Gjithçka duhet të ndodh brenda datës 9 ose 10 shtator 2025 kur thirret mbledhja e parë e legjislaturës së re.
Vlera e informacionit retrospektiv vs aktual?
Së pari, për të treguar sa komplekse dhe burokratike vijojmë ti kemi procedurat zgjedhore dhe parlamentare, dhe sesi për 1.6 milionë votues na duhen 3-4 muaj numërim e administrim të rezultateve.
Së dyti, për të treguar paradoksin kushtetues të ekzistencës disamujore paralelisht të parlamentit në detyrë e parlamentit të zgjedhur, qeverisë në detyrë dhe qeverisë së “shkarkuar / mandatuar“ nga votuesit, – gjë që në rastet e rotacionit politik sjell krizë, boshllëk institucional dhe pasoja ekonomike e korrupsioni (njësoj si më 2005 dhe 2013). P.sh., deputetët e rinj që nuk janë betuar ende, kanë nisur prej gati një muaji periudhën e kufizimeve që mund të çojnë në papajtueshmëri mandati!
Së treti, për të informuar një pjesë të madhe të medias, e cila në raportimet e ditëve të fundit duket se nuk ka njohuritë e duhura mbi Kodin Zgjedhor, Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Të gjithë flasin për reforma, por ndonjëherë reformat duhen nisur jo me batuta ditore twitter-i apo facebook-u, por nga këto “detaje“, – nga administrimi i shpejtë dhe i saktë i procesit zgjedhor / votave, vijuar nga thirrja menjëherë pas zgjedhjeve e parlamentit të ri dhe zgjedhja e qeverisë së re, si dhe parapelisht nga garanci të tjera të funksionimit të qëndrueshëm të institucioneve dhe qeverisjes pavarësisht nëse kemi vijueshmëri të së njëjtës qeveri apo rotacion.
KOHA JONË SONDAZH

