Akademia e Studimeve Albanologjike padit qeverinë

Blerina Gjoka-

Akademia e Studimeve Albanologjike njoftoi të enjten se ka nisur betejën ligjore me qeverinë për të anuluar vendimin për shkrirjen e këtij institicioni dhe kalimin e tij nën varësinë e Akademisë së Shkencave.

ASA bën të ditur se ka depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, kërkesë-padinë për hapjen e procesit gjyqësor ndaj Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

Objekt i kësaj kërkesë-padie është shfuqizimi i vendimit nr. 338, datë 31.5.2023 të Këshillit të Ministrave “Për mbylljen e veprimtarisë së Akademisë së Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e instituteve kryesore të saj”.

Po ashtu ASA kërkon marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur pezullimin e zbatimit të aktit deri në përfundim të procesit.Vendimi për të ndjekur një proces ligjor u mor në mbledhjen e fundit të senatit të ASA-s që u mbajt me 12 qershor.

Senati e cilësoi njëzëri vendimin e qeverisë, -“në kundërshtim të procedurave ligjore dhe nënligjore të parashikuara nga vetë Këshilli i Ministrave dhe nga ana tjetër, në mungesë totale të konsultimit paraprak me institucionin”.

Vendimi i qeverisë për të shkrirë ASA shkaktoi kundërshtime dhe kritika në botën akademike dhe publik si një veprim që cënon lirinë akademike në vend.

Më shumë se 100 akademikë, aktivistë dhe organizata të shoqërisë civile kundërshtuan  përmes një letre të hapur këtë vendim duke e cilësuar atë “arbitrar dhe të dëmshëm”, ndërsa qeveria pretendoi se kishte gjetur shkelje ligjore në funksionimin e saj si Institucion i Arsimit të Lartë.

Akademia e Studimeve Albanologjike është institucioni, ku bëjnë pjesë Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (IAKSA), Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Instituti i Historisë dhe Qendra e Enciklopedisë Shqiptare.

Projekti i qeverisë parashikon kalimin e instituteve të ASA-s në varësi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, pavarësisht kritikave ndaj këtij projekti.

Akademia e Shkencave drejtohet aktualisht nga Skënder Gjinushi, një politikan, i cili u zgjodh në këtë pozicion pasi Partia Socialiste miratoi ndryshime ligjore. Dy deputetë socialistë kanë propozuar ndërkohë ndryshime të mëtejshme ligjore për t’i mundësuar Gjinushit të ketë një mandat tjetër si kryetar, pasi ligji ekzistues, i miratuar nga vetë socialistët, parashikonte ndryshe./BIRN/

SHKARKO APP