“Aktori më i mirë” në Festivalin “Moisiu” për Viktor Zhustin, vlerësim i një shërbese të shenjtë përkushtimi ndaj artit skenik

Nga Albert Vataj

Në edicionin e tretë të Festivalit të Teatrit Shqiptar “MOISIU”, çmimi “Aktori më i Mirë” iu dha Viktor Zhustit për interpretimin e tij tronditës në dramën “Babai”. Ky vlerësim nuk ishte thjesht një kurorëzim i një roli, por një dëshmi e një jete të tërë të vendosur në shërbim të teatrit.

Juria e vlerësoi rolin si “një thyerje të madhe psikologjike”, një sfidë që kërkon t’i afrohesh memories së një njeriu në shpërbërje, duke mbetur njëkohësisht i vërtetë, i besueshëm dhe i kthjellët në mesazhin që përcjell për fatin e një familjeje kur kujtesa zbehet dhe humb.

Nën regjinë elegante dhe të përkorë të Erson Zymberit, “Babai” u shndërrua në një prej përvojave më të thella teatrale të viteve të fundit. Në qendër të saj, Viktor Zhusti, i qetë, i matur, i zhytur në brendinë e karakterit, solli jo thjesht një interpretim, por ngriti një univers emocional ku publiku mund të humbiste e të gjente veten njëkohësisht. Ai nuk luajti një figurë. Ai ndërtoi një njeri.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një njeri të krisur, të brishtë, të rrokullisur nëpër qerthullin e harresës, e megjithatë të bukur në atë rrënojë të mbetur nga kujtesa. Një njeri që endet ndërmjet kujtimeve e hallakaturës, që thërret e kërkon, që mbijeton në një botë ku realiteti i shpëton nga duart. Loja e Zhustit ishte aq e butë sa të dhembte, aq e saktë sa të zhveshte, aq e pastër sa të risillte në ndërgjegje se teatri i vërtetë nuk është trill, është rrëfim i shpirtit njerëzor.

Swiss Digital Mobile Reklama

Fitimi i çmimit ishte i pashmangshëm, jo ngaqë mungonin aktorë të denjë, por sepse Zhusti solli diçka që nuk matet me duartrokitje, peshën e së vërtetës, vibrimin e dhimbjes, heshtjen që flet, drithërimat e ndërgjegjes, pulsin e zemrës që rreh në ritmin e hapave mbi skenë. Çmime të tjera ndërtohen; ky çmim u bë rit i një karriere, vulë e një qytetërimi artistik, mirënjohje për një jetë që ka punuar me dashuri dhe përkushtim.

Në publikimin e tij të përzemërt në Facebook, ai shkroi:
“Ndjehem i detyruar dhe falenderues ndaj:
– Teatrit Eksperimental, veçanërisisht mikut fisnik, Gjergj Prevazi!
– Regjisorit sa human aq dhe delikat në shije, Erson Zymberi!
– Kolegëve dashamirës e të përkushtuar me të cilët ndërtuam këtë shfaqje të ngrohtë e plot jetë!
– Publikut brenda dhe jashtë vendit, që me duartrokitje, lotë e drithërima, na ka shoqëruar në çdo mbrëmje!
Falenderim i përzemërt edhe Jurisë për këtë vlerësim të lartë!”

Këto fjalë janë esenca e një artisti të madh: ai di se arti nuk bëhet vetëm. Arti lind nga bashkëpunimi, nga duart dhe frymët që ndërtojnë së bashku një botë ku publiku hyn, preket dhe transformohet.

Drama “Babai” e Florian Zeller-it – mjeshtërisht e përkthyer nga Adriana Tolka – solli në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental një udhëtim të dhimbshëm dhe të thellë në mendjen e një burri që humbet realitetin, por e ruan deri në fund dritën e dashurisë. Përkrah Zhustit, Egla Ceno realizoi një interpretim të mrekullueshëm si Ana, vajza që tretet ndërmjet dashurisë dhe detyrimit. Adriana Tolka, Pjerin Vlashi dhe Linda Jarani plotësuan një tablo njerëzore të copëzuar, një univers ku realiteti dhe kujtesa ndërthuren si ëndrra dhe frikë.

“Babai” nuk të lejon të qëndrosh indiferent. Ai të fton të mendosh për ata që duam, për prindërit tanë, për dashurinë që shpesh s’dimë si ta themi, por që mbetet aty e heshtur dhe e pavdekshme.
Edhe pjesa tjetër e çmimeve në Festivalin Mbarëkombëtar “Moisiu” – “Si ta doni” për Shfaqjen më të Mirë, Luli Bitri për Aktoren më të Mirë Protagoniste, Florian Agalliu, Blagoj Micevski dhe Endri Sina – plotësuan këtë mozaik të mirëfilltë të meritës artistike.
Por kulmi i festivalit, pika e tij e ndritshme, ishte çasti kur skena shqiptare i dha nderimin e merituar një prej monumenteve të gjalla të teatrit: Viktor Zhustit.
Sepse përmes këtij aktori u nderua tradita, dinjiteti, përkushtimi, heshtja krijuese, frika dhe bukuria njerëzore që vetëm arti mund t’i shndërrojë në jetë.
Dhe në fund, mbetet një e vërtetë e thjeshtë: Arti i madh nuk ka nevojë për zhurmë. Mjafton një njeri që e luan të vërtetën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?