Albin Kurti kërkon marrëveshje ndërpartiake për të shmangur zgjedhjet e reja për presidentin

Tri partitë më të mëdha në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po bisedojnë që të zgjedhin presidentin e ri të shtetit.

LVV kërkon marrëveshje për të shmangur zgjedhjet, PDK thotë se nuk është pengesë e proceseve shtetërore por nuk mbështet kandidatura që nuk përfaqësojnë unitet qytetar, ndërkaq LDK kërkon ose marrëveshje politke ose konsensus për kreun e ri të shtetit.

Deputetët kanë afat deri më 4 mars që të zgjedhin presidentin e ri ose në Kosovë do të mbahen zgjedhje të reja.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh udhëheqës i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se situata rreth zgjedhjes së presidentit të ri të shtetit “nuk është e lehtë”, por theksoi se do të përpiqen me dy partitë e tjera të mëdha shqiptare që të shmangin zgjedhjet e reja.

Swiss Digital Mobile Reklama

Presidentes aktuale të Kosovës, Vjosa Osmani, i skadon mandati më 4 prill dhe afati i fundit për votimin e figurës që do ta ketë mandatin e ri është 4 marsi. Osmani e ka bërë të qartë se synon edhe një mandat.

Nëse deputetët nuk arrijnë të zgjedhin kreun e ri të shtetit, atëherë zgjedhjet e reja do të mbahen në prill, tha Kurti.

“Do të përpiqemi maksimalisht që t’i evitojmë zgjedhjet për shkak të moszgjedhjes së presidentit”, tha Kurti.

Ai këto deklarata i bëri pas një takimi që zhvilloi me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Kurti theksoi se as partia e tij, as LDK-ja dhe as Partia Demokratike e Kosovës nuk kanë një kandidat të tyre për presidentin.

“Pra, ne si parti nuk kemi pasur kandidat nga radhët tona andaj në vijim ose duhet ta gjejmë një emër të përveçëm që na garanton të jenë së paku dy të tretat e deputetëve që qëndrojnë në sallë dhe votojnë duke zgjedhur një emër të përveçëm në fletëvotim që e hedhin në kuti, më së largu më 4 mars. Ose është tjera që subjektet politike merren vesh për rrugën përpara”, tha ai.

I pyetur nëse e përkrah Vjosa Osmanin për rizgjedhje, Kurti u përgjigj:

“Ne nuk kemi mbledhur nënshkrime për askënd për shkak se edhe në rast se i mbledhim nënshkrimet, po e theksoj, ne në rastin më të mirë teorik mund të mbërrijmë te numri 66 që është aq larg numrit 80. Prandaj, kot ne mund të nxjerrim kandidat, ndërkohë që dy subjektetet tjera thanë se nuk i kemi as 30 për nënshkrime sepse 30 është minimumi për propozimin”, tha Kurti, duke shtuar se do të ishte e “dëmshme” që tani LVV-ja të dalë me një kandidatë, pasi ka vetëm 66 vota.

Sipas tij, me votat aktuale që ka partia e tij dhe partnerët nga komunitetet joserbe, mund të mblidhen nënshkrime për dy kandidatë për president. Por, Kurti insistoi se për zgjedhjen e presidentit nuk duhet të synohet vetëm pragu i 80 votave, por deri në 85, në mënyrë që procesi të mos dështojë nëse ndonjë deputet mungon.

Kurti po ashtu konfirmoi se një natë më parë ishte takuar në Prekaz me Rifat Jasharin, me të cilin tha se bisedoi për zhvillimet politike dhe shumë çështje të tjera.

“Mirëpo, zgjidhja është mes tri subjekteve politike”, vazhdoi ai.

Në të kaluarën janë përmendur emra nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, si kandidatë të mundshëm për president, por propozimet nuk janë jetësuar asnjëherë.

Megjithatë, Kurti tha se e bën optimist konstruktiviteti i takimeve për arritjen e një marrëveshjeje me partitë e tjera për çështjen e presidentit.

“Nuk shoh zell për zgjedhje të reja dhe kjo është gjithashtu një e përbashkët që kemi. Këto elemente më bëjnë optimist”, tha ai për mediat.

Abdixhiku: Ose marrëveshje politike ose konsensus për çështjen e presidentit

Ndërkaq, pas takimit me Kurtin, kreu i LDK-së tha për gazetarët se nevojitet konsensus politik apo marrëveshje mes partive për emrin.

“Dakordimi i përgjithshëm është se janë vetëm dy rrugë përpara. E para është që ose duhet konsensus politik mes faktorëve të vendit dhe ky konsensus duhet të ndërtohet në këto nëntë ditët e ardhshme ose duhet një marrëveshje klasike politike, mes partive për çështjen e presidentit. Dhe, në të dyja rastet duhet së paku dy të tretat e votave të deputetëve. Mbeti që të takohemi në ditët në vijim për të parë se cili nga këto mundësi që kemi përpara”, tha ai.

I pyetur nëse është diskutuar për emra konkretë që do të mund të zgjidheshin president, përfshirë emrin e presidentes aktuale, Abdixhiku tha se fillimisht është procesi i arritjes së një konsensusi e më pas vijnë emrat.

“Nuk kemi folur për emra. Fillimisht duhet të zgjedhim rrugën, ose marrëveshje politike ku partitë bëhen bashkë dhe përcaktojnë presidentin e ardhshëm ose konsensusi, ku shikohet një kandidaturë përtej marrëveshjes politike, më pas vijnë emrat”, tha ai.

Abdixhiku tha se një marrëveshje politike për presidentin me LVV-në e Kurtit, mund të përfshijë edhe bashkëpunimin në Qeveri, por tha se në këtë fazë nuk ka interes për një gjë të tillë.

“Marrëveshja politike nënkupton dakordim për çështjen e presidentit. Në këtë fazë nuk besoj që kemi interes dhe nuk ka interes në atë drejtim, por gjithçka e hapur brenda marrëveshjes politike. Por, edhe konsensusi është i natyrshëm. Çfarëdo zgjidhje që sjellë në dy të tretat e votave të Kuvendit”, u shpreh ai.

Abdixhiku ka deklaruar disa herë nëpër studiot televizive në Kosovë se duhet arritur marrëveshje në mënyrë që partia të cilën ai e udhëheq, LDK-ja, të jetë në sallë kur të votohet për këtë çështje.

Kjo parti ia pati bërë kuorumin presidentes aktuale, Vjosa Osmani kur e ka fituar mandatin e parë, në prill të vitit 2021.

Çështjen e presidentit, Kurti e ka diskutuar të dielën edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Kryeministria bëri të ditur pas takimit se palët janë pajtuar që “bashkëpunimi është i nevojshëm “duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”.

Partitë tjera nuk kanë përmendur deri më tani një kundërkandidat. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj, ka thënë se do ta shqyrtonte këtë pozitë, nëse partitë tjera opozitare do të kishin disponim, mirëpo, sipas tij, ato kanë qenë të painteresuara.

Për secilën kandidaturë duhet të sigurohen të paktën 30 nënshkrime të deputetëve.

Kurti i ka 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ndërsa për zgjedhjen e presidentit duhen të paktën 80 vota prej 120 në total.

Nëse në dy rundet e para të votimit një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në votimin e tretë mjafton t’i ketë 61 sosh.

Pavarësisht rolit ceremonial presidencial, mospërmbushja e afateve i kushton shtetit.

Nëse Kosova nuk e ka emrin e ri për pozitën e presidentit deri më 4 mars, atëherë duhet t’i organizojë zgjedhjet e reja parlamentare brenda 45 ditësh.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Ftesa e Trump e shpëton Ramën nga sulmet e brendshme politike?