Ambasada gjermane reagon pas protestës së PD, pavarësisht flamurit gjerman: Dënojmë dhunën e protestës!
Pavarësisht simbolikës së përdorimit të flamujve gjermanë në protestën e zhvilluar mbrëmjen e së dielës nga Partia Demokratike dhe mbështetësit e Sali Berisha, Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka reaguar lidhur me tensionet e regjistruara gjatë tubimit para Kryeministrisë.
Në një postim në faqen e saj zyrtare në Facebook, ambasada thekson se e drejta për të protestuar është një parim themelor i çdo shoqërie demokratike, por njëkohësisht dënon çdo akt dhune të ndodhur gjatë protestës.
“Ambasada Gjermane dënon dhunën e papranueshme në kuadër të demonstratave të djeshme. Protestat politike dhe e drejta për të demonstruar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike. Por ato nuk mund të përligjin asnjëherë dhunën ndaj personave apo objekteve. Ne kërkojmë prej përfaqësuesve të partive politike përgjegjëse të distancohen në mënyrë të paekuivoke nga dhuna”, thuhet në reagimin zyrtar.
Ky reagim vjen në një moment kur protesta e opozitës u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë, duke rritur tensionin politik në vend.
Qëndrimi i ambasadës gjermane shihet si një mesazh i qartë për respektimin e standardeve demokratike, ku e drejta për protestë duhet të ushtrohet pa cënuar rendin dhe sigurinë publike.
KOHA JONË SONDAZH

