Ambasadorët e huaj po krijojnë iluzionin sikur reforma në drejtësi funksionon!

Nga Andi Bushati-

Fiks në të njëjtën ditë që prokuroria lokale e Dibrës shpalli përpara publikut varosjen e së vërtetës për manipulimet zgjedhore të dosjes së famshme 184, SPAK përkujtoi me pompë një vjetorin e tij.

Institucioni më i ri i reformës në drejetësi, që është vizatuar nga arkitektët e tij dhe ambasadorët që e mbështesin si shpresa për goditjen e pandëshkueshmërisë në këtë vend, paraqiti një bilanc të sukseseve që prej themelimit e deri sot.

Përmes një deklarate, SPAK renditi një sërë statistikash qesharake dhe u zotua para publikut shqiptar se do të vazhdonte në këtë rrugë.

Por festën propagandistike të inspiruar nga padronët e tyre të vërtetë, e prishi çuarja në gjykatë e të akuzuarve për zgjedhjen e votave në Dibër.

Mali i mbarsur kishte pjellë një mi.

Ndonëse në aktakuzë pranohej shitblerja e votës, aktorët e saj nuk do të dërgoheshin para gjykatës sepse u qe parashkruar afati 3 vjeçar i krimit të kryer.

Aty nuk figuronte asnjë nga personazhet politikë që patën shkaktuar “tërmetin” e vitit 2016, as ish ministri që i përdorte shefat e policisë si “ushtarë personalë”, për qëllime politike, as ata që dhanë urdhra për kërcënimin e mësuesve me heqje nga puna dhe as shefi i madh që dilte në përgjime duke pyetur ekzekutorin e manipulimit Arben Keshin: “A i realizuat objektivat”?

Pikërisht kjo dosje, e publikuar nga gjermanja BILD,  që u vu si një nga kushtet për hapjen e negociatave me BE-në, që e bëri shtypin ndërkombëtar të fliste për shtet gangster apo mafioz, sot mund të quhet e mbyllur.

Për këtë askush nuk kishte ndonjë dyshim.

Një drejtësi e vertetë as mbund të bëhet dhe as mund të pretendohet nën thundrën e një regjimi.

Por, ajo që është e rëndësishme të kuptohet këtu është dështimi spektakolar i Prokurorisë së Posatshme Anti korrupsion, sjellja e saj në vazhdën e paraardhësve të vjetër, të kapur politikisht.

Sepse SPAK ka pasur rastin e artë ta hetonte një çështje si kjo që përbën edhe thelbin e ekzistencës së vet. Dhe kjo mundësi iu dha në fillim të këtij viti, kur prokurorët e trembur të Dibrës e sollën dosjen në Tiranë. Por Arben Kraja dhe vartësit e tij, u sollën njësoj si Ardiatik Llalla që i kishte mbajtur për tre vjet përgjimet të pazbardhura dhe si Arta Marku e Donika Prela që u munduan ti varrosin ato.

Duke lujatur me kleçka juridike si mungesa e një “grupi të strukturuar kriminal”, ata e hoqën këtë patate të nxehtë nga vetja. Ata e bënë këtë duke qenë të ndërgjegjshëm se paraardhësit e kishin dërguar në Dibër vetëm për të pasur një alibi pas publikimeve të BILD. Ata e bënë këtë duke e ditur mirë se kolegët e tyre të squllët lokalë i patën paralajmëruar se qenë në konflikt interesi dhe pamundësi fizike ta shqyrtonin këtë dosje.

Por, edhe po ta marrësh me logjikën më bazike, taktika firkacake e tërheqjes së menderes që zgjodhi të bëjë SPAK, nuk qëndron.

Sepse është absurde të mendosh se një dosje ku ai që ka bërë shitblerjen e votave komunikon me kryeministrin, ku ekzekutorët nxiten nga ministrat e rendit dhe të ekonomisë, ku pjestarë janë deputetë dhe personazhe të botës së krimit, e ku të gjithë bashkë, pas kryerjes së krimit, kërkojnë shpërblimin për punën e bërë, të mos hetohet nga SPAK.

Kjo çështje, që as nuk morën mundimin ta lexojnë, por e kthyen me tmerr, brenda pesë ditëve, andej nga u erdhi, është njolla e pashlyeshme e turpit për Prokurorinë e Posatshme.

Ky institucion, i cili pretendohet se u ngrit për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë, për të kthyer besimin e publikut tek drejtësia, për të përmbushur presionin ndërkombëtar dhe donacionet e tyre se këtu nuk ka më të paprekshëm, në ditën që iu dha ky shanc, u soll në mënyrën më legene të mundshme.

Pas kësaj ishte e kuptueshme, se as prokurorët e ngratë të Dibrës nuk mund të bënin më shumë.

Ky përkim rastësish, që erdhi fiks në përvjetorin e parë të SPAK, tregon shumë për atë që po ndodh realisht me reformën në drejtësi. Ai ashtu sikurse iu shmang hetimit të dosjes së vjedhjes së votës, me po të njëjtën frikë po nguron të hetojë edhe skandalet financiare, që nga koncesioni i inceneratorëve e deri tek ato të shëndetësisë.

Prandaj, ndryshe nga ç’na predikojnë ambasadorët, të kërkosh të vërtetën nga prokurorët e posaçshëm është si të bësh dashuri me kukulla plastike seksi. Ata të krijojnë vetëm iluzionin se reforma po funksionon. Dhe në fakt nuk ka se si të jetë ndryshe, sepse në një rend ku është shkatëruar demokracia, nuk mund të triumfojë drejtësia.

SHKARKO APP