Anullohet edhe darka e planifikuar mes Ramës dhe Metës me deputetët
Re të zeza po daraviten mes kryeministrisë dhe kryesisë Parlamentit. Pas anullimit të takimit javor me Ramën sot paradite prej Ilir Metës ka reaguar edhe kryeministri. Nga zyra e kryeministrit ka shkuar një email deputetëve të PS dhe LSI. Teksti ishte i shkurtër se “Darka e planifikuar për datën 14 janar me Edi Ramën dhe Ilir Metën është anulluar”. Ky është lajmi i tretë dhe i fundit nga zyra e Ramës për anullim.
Nga zyra e kryeministrit ishin njoftuar disa herë deputetët e PS për t’u përgatitur për takimin festiv. Festa u tha se do të zhvillohej më 23 dhjetor, në një rezidencë luksoze, në Vorë. Më pas u la 26 dhjetori. Por shtyrjet duket se përkonin me humorin e dyshes Rama – Meta dhe u bënë barometër i marrëdhënies së tyre jo më aq shumë miqësore, si para prillit të vitit 2015.
Këto kohë ata s’janë aspak në ditë të mira. Takimi i përjavshëm i të mërkurës nuk u zhvillua për arsye ende të paqarta. Por thuhet se sot nuk ka pranuar kreu i parlamentit ta presë kryeministrin, pas sulmeve të fundit të inicuara prej Ramës në emisionin e Fevziut.
Meta, pas anullimit të takimit u shpreh më i qartë se kurrë: Reforma në Drejtësi nuk mund të kalojë pa opozitën, edhe pse ndaj PD –së pati kritika. “Politika e faktit të kryer duhet të marrë fund”. Rama, pavarësisht se PD është tërhequr nga komisioni i ekspertëve, vazhdoi me të tijën. Ai i urdhëroi ekspertët e tij që ta përfundonin draftin. Por Meta i kujtoi sot ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, autor kryesor i të cilave është vetë Rama, që i kreu ato në bashkëpunim me kryeministrin e kohës, Sali Berishën. Meta i kujtoi Ramës se ” njëherë ma fute, por përsëdyti nuk ka më”.
Darka e anulluar është një tjetër shenjë e qartë se “vëllezërit e 1 prillit” nuk kanë më për çfarë të gëzojnë. Nuk e shohin dot më njëri –tjetrin në sy duke qeshur nëpër takime festiv kur pas shpine fshehin thikat, shkruan edhe lapsi.
Ilir Meta sheh Edi Ramën pas gjithë implikimeve që i bëhen në çështjen DIA të Kastriot Ismailajt. Sulmi i fundit ishte ai i dy ditëve më parë kur gazetari Artan Hoxha i publikoi disa përgjime telefonike, të thuhet se janë të sajuara me mjeshtri . Kjo çështje është edhe zanafilla e çarjes së tyre, që daton në prill të vitit 2015, kur nga Task Forca e Prokurorisë, prokurori Kostaq Beluri urdhëroi rihapjen e hetimeve për Ismailajn.
Hetimet e kryera në vitin 2008 ndaj Ismailajt, për pastrim parash, përmbanin edhe përgjimin e publikuar jo rastësisht në emisionin Opinion nga gazetari Artan Hoxha. Pra duket se Rama po i bën presion kryeparlamentarit, ndërsa ky i fundit i kundërpërgjigjet me votim vetëm me PD të drafit të drejtësisë. Rrugë tjetër nuk ka, ishte nënteksti i mbledhjes së sotme të kryesisë së LSI.
Java e ardhshme do të jetë mot me ngrica në Tiranë, ndërsa në politikë akull, borë dhe rreziqe orteqesh.