Soreca: Lini konfliktet për Kushtetuesen, ngrini një institucion të besueshëm
Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca, ka komentuar për herë të parë konfliktin mes mazhorancës dhe presidentit për Gjykatën Kushtetuese. Diplomati i BE apeloi institucionet të lënë mënjanë konfliktet dhe të ngrenë një institucion të besueshëm. Soreca përsëriti thirrjen për dialog mes palëve, teksa kërkoi që të përmbyllet sa më shpejt edhe paketa me ndryshimet për reformën zgjedhore.
“Të gjithë duhet të investojnë për të arritur një kompromis politik. Është për të mirën e Shqipërisë. U bëjmë thirrje të gjithë institucioneve në Shqipëri të lënë mënjanë konfliktet sa i përket Gjykatës Kushtetuese dhe të ngrenë një institucion të besueshëm. Reforma zgjedhore është një tjetër aspekt i rëndësishëm. BE kërkon rezultate konkrete në këtë drejtim. Sa më shpejt të jetë e mundur të përmbyllet paketa e reformës zgjedhore, BE do të investohet me kapacitetet më të larta teknike”, tha ambasadori i BE.
Deklaratat Soreca i bëri gjatë hapjes së shkollës së integrimit europian dhe vjen pas sulmeve që zyrtarë PS dhe kryeministrit Edi Rama kanë bërë ndaj kreut të shtetit për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Sot zëvendëskryeministri Erion Braçe ka sulmuar dhe kandidatët e përzgjedhur për këtë gjykatë nga ana e kreu të shtetit, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e tyre.