Apo shkarkohen drejtorët për t’u arrestuar nga Prokuroria?

Pas ditë pas ndërrimit të ministrave kryesorë të kabinetit, kryeministri Edi Rama ka nisur një valë shkarkimesh të drejtorëve më të rëndësishëm të administratës. Vetëm dje u shkarkua nga detyra Afrim Qendro, kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe një nga drejtorët që ka pasur në duar këto vite pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit për investime. Dy ditë më parë u largua kreu i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST), Klodia Gradeci. Zyrtarisht u tha se ishte dorëheqje, por vetëm pak orë pas letrës së largimit u emërua drejtori i ri, gjë që të bën të besosh se me shumë se dorëheqje ishte një shkarkim shpejtë.

Shkarkimi i dy drejtorëve më të rëndësishëm të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pa dhënë asnjë shpjegim, në pamje të parë, duket si një ndërrim administrate pas marrjes së detyrës nga ministrja e re Belinda Balluku. Por për të dy drejtorët mësohet se ka qenë kërkesa e Edi Ramës për t’i larguar ata dhe për ti zëvendësuar brenda pak orësh me zyrtarë të tjerë. Pra, më shumë se ndryshim i njerëzve për shkak të modelit që do të sjellë ministrja e re, kemi të bëjmë me urdhër të Edi Ramës. Ndërsa për ministrat që largoi u justifikuar se ikën për shkak të protestave të studentëve, për drejtorët kryeministri nuk ka asnjë qëndrim zyrtar për largimet. Shkarkimet e befta dhe pa zhurmë nga ana e kreut të qeverisë lidhen direkt me aferat për të cilat Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është vënë në qendër të vëmendjes këto muaj. Emrat e të dy drejtorëve lidhen me skandalin e kompanisë “DH Albania”, e cila në dy tenderë të dyshimtë arriti marrë në pak muaj 30 milionë euro. Skandali i kësaj kompanie u zbulua në emisionin “Të Paekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi. Kompania që kishte pronar një 26-vjeçar që punonte recepsionist, rezultoi se kishte të falsifikuar gjithë dokumentacionin. Jo vetëm nuk rezultonte se në Shqipëri kishte kryer ndonjë projekt që e fuste atë në firmat serioze, por kishte falsifikuar në SHBA gjithë dokumentacionin duke u prezantuar në Tiranë si një kompani amerikane.

Me një dosje me letra flase, OST-ja i ka dhënë gjatë muajve të fundit të vitit 2018 kompanisë “DH Albania” një tender prej 12 milionë eurosh për ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë Burrel-Peshkopi. Fondi limit i këtij institucioni ishte 12 milionë euro aq sa ka marrë dhe kompania me letra të dyshimta.  Ndërsa drejtori i ARRSH, Afrim Qendro u vendos në qendër të skandalit pasi kompania “DH Albania” fitoi tenderin 18 milionë euro për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Re. Në të dy këto tendera kompania mashtruese garoi e vetme dhe mori vlerën maksimale të parave nga buxheti i shtetit, duke shënuar një rast unikal të korrupsionit me paratë e taksapaguesve.

Pas publikimit të skandalit, formalisht Ministria e Infrastrukturës, anuloi të dy tenderat, ndërsa zyrtarët u justifikuan se nuk kishin informacion se dokumentet e kompanisë “Amerikane” ishin false. Kryeministri Edi Rama deklaroi se pavarësisht se kompania kishte mashtruar, lekët e buxhetit të shtetit nuk u prekën dhe se zyrtarët e shtetit kishin zbatuar ligjin. Por nëse gjëra janë siç thotë kryeministri, atëherë përse u largua nga detyra ministri Damian Gjiknuri? Nëse zyrtarët kanë zbatuar korrekt ligjin, përse kryeministri me nxitim kërkoi shkarkimet e dy drejtorëve më të rëndësishëm të kësaj ministrie dhe që kanë përgjegjësi direkte për tenderët e “DH Albania”. Në të gjitha rastet, me shkarkimin e tyre, kryeministri Edi Rama konfirmon se largimet në këtë ministri lidhen me dy tenderat që në mënyrën antiligjore ju dhanë një kompanie me të gjitha dokumente të falsifikuara.

Problemi me 30 milionët që fluturuan nuk ka të bëjë vetëm me korrupsionin shqiptar, por edhe me përfshirjen në këtë lojë të amerikanëve. Kompania e famshme e “recepsionistit”, në mënyrë spektakolare arriti jo vetëm mashtrojë gjithë qeverinë dhe drejtorët në Tiranë, por falsifikoi dhe firmat e Departamentit të Shtetit në Amerikë. Përfshirja në mënyrë abuzive e emrave të disa zyrtarëve amerikanë në një aferë korrupsioni te Unaza e Re është një skandal që në Uashington nuk mund të kalojë aq lehtë sa në Tiranë. Këto muaj pas skandalit, “Zëri i Amerikës”, por edhe agjenci të tjera të SHBA kanë bërë presion te qeveria për të zbardhur gjithë aferën, si dhe për të ndëshkuar personat që fshihen pas saj.

Si për shumë skandale të tjera edhe këtë herë Edi Rama e ka gati shprehjen “nuk dija gjë” dhe është munduar të qëndrojë larg përfshirjes direkte. Por në këtë histori dikush duhet të dalë fajtorë dhe përgjegjësia s’mund të jetë vetëm e recepsionistit 26-vjeçar që mashtroi. Me shkarkimet e djeshme të drejtorëve, kryeministri duket se i ka çuar sinjal dhe Prokurorisë se me cilët duhet të merret.

 

 

SHKARKO APP