“Arbitrat” ndërkombëtarë nuk ishin asnjanës mbrëmë, golin e bënë te opozita dhe topin e lanë në gjysëmfushë!

Ndërkombëtarët i lanë duart me krizën politike në Shqipëri. Pas disa ditë negociatash dolën para mediave dhe thanë marrëveshja u arrit dhe “topi është në fushën e Lulzim Bashës”. Pa dhënë asnjë detaj se çfarë është arritur, kush bëri tolerime, çfarë fitoi opozita dhe çfarë qeveria dhe mbi të gjitha sa i ka mbrojtur votat e qytetarëve kjo marrëveshje, diplomatët e huaj e quajtën si paktin më të mirë. Madje, pa u prezantuar marrëveshja e arritur, diplomatët i dhënë një bonus të paparë qeverisë duke deklaruar se Edi Rama bëri lëshimet më të mëdha. Në këtë mënyrë, krijohet ideja se opozita ka në dorë një marrëveshje të jashtëzakonshme dhe ka fituar përballë Edi Ramës.  Sepse kur thua “Qeveria bëri tolerimet më të mëdha” do të thotë që Damian Gjiknuri është dorëzuar totalisht para Oerd Bylykbashi e Petrit Vasilit dhe ka pranuar thuajse çdo gjë. Po çfarë lëshoi Edi Rama? Mos vallë pranoi qeveri tanzitore për zgjedhje? Mos vallë pranoi ndryshimin e sistemit? A u miratua hapja e listave dhe heqja e pushtetit pa kufi të kryetarëve? A u vendos që drejtuesit e policisë të zëvendësohen nga njerëz teknikë gjatë zgjedhjeve? A u nxorën para drejtësisë vjedhësit e votave në Dibër dhe Durrës?

Këto kërkesa që janë baza e garancisë për zgjedhje normale nuk u futën në diskutim. Çështjet për të cilat qeveria ka lëshuar në tavolinë janë truke për tavolinat e negociatave, por nuk prekin thelbin e problemeve të zgjedhjeve në Shqipëri. Opozitës i është vënë përballë një dokument që vetëm formalisht quhet marrëveshje, sepse janë futur në diskutim vetëm gjërat që ka dashur Edi Rama. Kryeministri ka lëshuar paksa vetëm atje ku e di se nuk preket pushteti i tij dhe as mekanizmat e manipulimit të zgjedhjeve. Ndërkombëtarët duhen vlerësuar për rolin e tyre në këtë krizë dhe realisht ata duan që tavolina e bisedimeve të prodhojë produkt. Por ata nuk janë ekspertë zgjedhjesh dhe historia e betejave elektorale në Shqipëri ka parë shumë modele diplomatësh që tentojnë të realizojnë konsensus. Historia e negociatave me ndërkombëtarë në këto 30 vite ka një element të përbashkët. Në përgjithësi, ndërkombëtarët nuk e vrasin mendjen nëse marrëveshja që nënshkruajnë palët është e mirë apo e keqe, atyre u duhet vetëm marrëveshja si akt. Nuk është faji i tyre që i shohin gjërat kështu, përderisa klasa jonë politike nuk ka arritur të merret vesh asnjëherë vetë.

Problemi është se qytetarët shqiptarë i shohin ambasadorët si arbitër të një ndeshje që vazhdon pa fund mes qeverisë dhe opozitës. Dhe në këtë përplasjen e fundit, ambasadorët u thirrën në skenë jo për të marrë pozicione, por për të ndikuar që ndeshja, negociatat dhe marrëveshja të kenë arbitër dhe mbi të gjitha dëshmitarë të besueshëm.  Tashmë ambasadorët thonë se topi është në fushën e Lulzim Bashës dhe i takon ati ta gjuajë, duke pranuar marrëveshjen. Nëse nuk e pranon, rreziku është që ndërkombëtarët, me kreditet e larta që i dhanë Edi Ramës si tolerantin më të madh në Ballkan, ta masakrojnë edhe njëherë opozitë si prishëse të konsensusit. Më pas, mund të mos bëjnë zë kur Edi Rama të thotë “i dola borxhit Lulzim Bashës” dhe të miratojë Kodin Elektoral që ka në mendje me opozitën fallso në Kuvend. Me këtë skemë të Edi Ramës vendi mbetet pa opozitë dhe tema kryesore për të cilat do flasin më pas ndërkombëtarët do jetë situata kaotike dhe dhuna nga përplasja e qytetarëve me regjimin. Mbase pa dashje, tensionet e negociatave i kanë bërë diplomatët që bien pre e skemave mjeshtërore të Edi Ramës. Presioni që po bëhet ndaj opozitës për të pranuar një marrëveshje të paplotë nuk ngjan si lëvizje diplomatike dhe as si taktikë negociatash. Vendosja para kushtit të pranojë ose ta lerë, kur kërkesat kanë qenë shumë më të larta se ajo që u arrit në tavolinë mund të sjellin marrëveshje formale, por e sigurt është që nuk sjellin zgjedhje më të mira. PS-ja i ka vjedhur rregullisht zgjedhjet edhe nën vështrimin e ndërkombëtarëve. Kjo reformë zgjedhore nuk do të prodhojë çudira, por më e pakta duhet t’i japë garanci opozitës për numërimin e votave dhe se nuk do të guxojë njeri të tjetërsojë votën. Gjuajta e topit dhe hyrja në lojë pa garanci do të prodhojë një ndeshje që e kemi parë disa herë. Ndaj që “loja” të jetë e rregullt duhet që ndërkombëtarët të kryejnë detyrën si arbitër deri në fund dhe jo të jenë spekatorë apo më keq tifozë të njërës skuadër. Në fund e dimë që do jenë me atë që fiton, por fillimisht të garantojnë ndeshje të barabartë./ Mili Xhani/

SHKARKO APP