Arrestimet e inspektorëve, IMT: Distancohemi nga sjellje të tilla të papranueshme, i shkarkuam nga detyra
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit Tiranë ka reaguar pas operacionit të SPAK dhe të policisë duke arrestuar 2 persona dhe shpallur në kërkim 2 të tjerë, punonjës të këtij institucioni. IMT distancohet nga ngjarja duke thënë se veprimet korruptive të punonjësve janë veprime individuale, duke bërë thirrje gjithashtu që institucionet ligjzbatuese të veprojnë.
Reagimi i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Tiranë:
Marrë shkas nga ngjarja e ndodhur ditën e sotme, ku katër punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit kanë shkelur rëndë ligjin, bëjmë me dije opinionin publik se institucioni ynë e dënon me vendosmëri këtë rast.
Sjellje të tilla janë të papranueshme dhe IMT distancohet plotësisht nga këto veprime individuale. Ndaj personave të përfshirë janë marrë menjëherë të gjitha masat e nevojshme administrative, duke i shkarkuar nga detyra.
Theksojmë se ky rast nuk përfaqëson punën dhe misionin e IMT-së. Institucioni ynë mbetet i përkushtuar të vijojë punën me integritet, transparencë dhe profesionalizëm, në shërbim të interesit publik dhe në mbrojtje të territorit.
IMT inkurajon organet ligjzbatuese për bashkëpunim të plotë dhe ndëshkimin e rastit sipas ligjit, si edhe inkurajon çdo qytetar të denoncojë raste të ngjashme, në mënyrë që të mos mbetet asnjë hije dyshimi mbi integritetin e institucionit dhe misionin e tij.
KOHA JONË SONDAZH

