Artan Fuga zbërthen 4 tipet e diskutimeve në Kuvendin e Partisë Demokratike
Profesori dhe analisti i njohur, Artan Fuga ka “zbërthyer” fjalimet e Kuvendit të Partisë Demokratike, duke nxjerr në pah katër tipat e diskutantëve që folën në podium për zgjedhjet e 25 prillit.
Fuga, shkrimin e tij e ka quajtur katër përballjet me të vërtetat, teksa ka specifikuar se ka ndjekur me vëmendje punimet e Kuvendit të PD-së nga televizioni.
Për të përkufizuar diskutantët, ai e ka paralelizuar situatën me librin e Shlomo Ibn Gabirol, I titulluar “Përgjedhja e Perlave”,
“Katër përballjet me të vërtetat
Duke ndjekur me shumë vëmendje në tv punimet e kongresit të PD.
Duke dëgjuar me respekt diskutantët dhe raportin më vinte ndërmend një autori i shekullit të 11-të, poet dhe filozof, ka shkruar një libër që në shqip e përkthej si “Përgjedhja e Perlave”, quhet Shlomo Ibn Gabirol, hebre i vjetër.
Aty ai thotë se ka katër mundësi për t’u pozicionuar përballë së vërtetës djegëse:
- Janë ata që e njohin ku qendron problemi dhe e dinë që e dinë se ku është problemi. Ca prej tyre e thonë, ca e mendojnë por nuk e thonë, sa thonë të kundërtën e asaj që dinë sepse janë batakçinj ose kopila të mëdhenj. Ose lidera të mëdhenj!
- Ca të tjerë e dinë se ku fle ariu, pra e dinë të vërtetën, por nuk e dinë se e dinë. Këta ose janë tipa modestë, të sjellshëm ose nuk kanë guxim t’i pohojnë vetes ato që dinë sepose nuk ua mban, kurrizi, ose sepse kanë aftësi mendore të kufizuara.
- Ka të tjerë që nuk e dinë të vërtetën, nuk e njohin problemin, por nuk e dinë që nuk e dinë, dhe për rjedhojë kujtojnë se e dinë. Këta janë mendjefyella ose tipa që kënaqen me ca hamendje që i marrin si të vërteta ose mendojnë sa diametri i një gote rakie, ose aq dinë. Ose janë të sinqertë, por të padobishëm.
- Ka të tjerë realistë që nuk e dinë fare ku qendron problemi, ku është e vërteta, por ama e dinë që nuk e dinë dhe janë të qetë, të heshtur, presin një biletë vajtje – ardhje kaq!
E more Shlomoooooo sa i madh je! Kujtojnë këta se je naiv!”, shkruan Fuga.