Bamir Topi jep dorëheqjen nga drejtimi i FRD-së
Disa orë pasi partia e tij firmosi marrëveshjen me PD-në për zgjedhjet e 25 prillit, ish-presidenti Bamir Topi ka bërë me dije se jep dorëheqjen nga drejtimi i Frymës së Re Demokratike.
Në një letër drejtuar anëtarësisë, Topi i njofton ata për largimin nga ky post. Kjo lëvizje vjen disa orë pasi FRD dhe Topi firmosën marrëveshjen për koalicionin e opozitës së bashkuar ”Aleanca për ndryshim” ku bëjnë pjesë 14 parti.
”Në shprehje të vullnetit TIM, deklaroj dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme dhe të parevokueshme, nga detyra e Kryetarit të Partisë “Fryma e re Demokratike”, thuhet në letrën e dorëheqjes.
Mësohet se marrëveshja mes PD-së dhe FRD-së u arrit nga nënkryetari Sali Shehu. Arsyet e largimit janë ende të panjohura. Vetë Shehu pas finalizimit të marrëveshjes, tha në një deklaratë për mediat se ka FRD-ja ka kërkuar të përfaqësohet në këtë koalicion pasi aspiron për fitore peblishitare.
”Propozimin do ta diskutojmë me partinë. Kemi kërkuar të jemi të përfaqësuar në këtë koalicion që aspiron për një fitore plebishitare, që e meritojnë shqiptarët. Gjërat në detaje do i konsumojmë rast pas rasti”,-tha Shehu.
Sekretari i përgjithshëm i FRD-së, Sali Shehu thotë se shkak i dorëheqjes së Bamir Topit nuk është “përçarja brenda partisë”. Shehu tha se FRD do të vijojë sipas rregullave të statutit për të zgjedhur kryetarin e ri, ndërsa shtoi se e falenderon Topin për kontributin që ka dhënë.
“Të them të drejtën edhe unë tani sa jam njohur me dorëheqjen e Topit dhe s’kam informacionin e duhur për t’ju thënë arsyet. Nuk besoj se ka qenë kjo arsyesja, zoti Topi mund t’i sqarojë vetë ca gjëra, në këtë moment do të mbledhim kryesinë dhe do të operojmë sipas statutit, duke e falenderuar zotin Topi për kontributin dhe gjithçka që ka dhënë për FRD-në. Ne e nënshkruam marrëveshjen me të kosnultim jo vetëm të Topit, por të gjithë strukturave të partisë. Është në vullnetin e tij, ai ka vendin e tij në parti”, u shpreh Shehu për FaxNews.