Banorët presin me polemika dhe debat kryeministrin në Laç

Kryeministri Edi Rama ka parë nga afër situatën në qytetin e Laçit, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. Teksa kryeministri ka folur për projektet e qeverisë, banorët janë ankuar për dëmet e tërmetit dhe mos interesimin qeveritar si dhe zgjidhjen e hallëve të tyre.

Gjatë takimit nuk kanë munguar debatet dhe polemikat e forta mes qytetarëve dhe krerëve të qeverisë.

Një prej banorëve e ka krahasuar Edi Ramën me oligarkët. Ndërkohë kreu i qeverisë e ka quajtur veten “patriot, shqiptar”.

Këtu do të prishet e gjithë zona dhe do të rindërtohen gjithçka. Ju do të merrni çfarë ju takon, ndoshta dhe më shumë. Kështu ju qytetarë, se unë jam fshatar. Shtëpinë do e merrni më të mirë sesa ne. Tani duam kafe. Bëje kafen pra. Gratë bëjnë kafen, burrat llafet”,-tha Rama.

Po ashtu ai debatoi dhe me një tjetër banore, e cila kishte lënë punën në Zvicër dhe kishte ardhur pranë dy prindërve të saj pleq, të cilëve iu është shembur banesa. Sapo qytetarja tha se ”po punojmë për copën e bukës”, Rama ia kthehu dhe tha; “As në Mesjetë nuk ka vuajtur shqiptari për copën e bukës”.

Debati mes Edi Ramës dhe banorëve:

Banorja: Kam lënë punën në Zvicër dhe kam ardhur të shoh dy prindërit. Askush si ka ndihmuar. As ndihma, as çadra. Jetojmë sa jashtë-brenda, muri po bie.

Rama: Nisët me akuzat!

Banorja: Kam lënë punën atje, se punoj për copën e bukës. Punoj 14 orë. Po rrogat këtu nga 200 mijë lekë…

Rama: Këtë pjesën ‘punoj për copën e bukës’ nuk e pranoj. S’ka shqiptar që vuan për copën e bukës. Nuk ka. (Ngre zërin) Këtë shprehje se pranoj. As në Mesjetë nuk ka vuajtur shqiptari për copën e bukës.

Më pas kryeministri u përballë me kritika dhe vërejtje të banorëve që prisnin përjashta takimit. Pas debateve kryeministri ka braktisur takimin me banorët e Laçit të cilët janë prekur nga tërmeti I 26 nëntorit 2019. Në një formë që nuk i kishte ndodhur Ramës asnjëherë në takimet me popullit që transmetohen ‘live’ në ERTV, kryeministri u detyrua të largohej nga takimi me pretekstin se e pret ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio, ndërkohë që banorët vijuan t’a ndiqnin deri në dalje për t’i kërkuar shpjegime për zgjidhjet.

SHKARKO APP