Lulzim Basha: Edi Rama, 120 milionë euro konçensione për 12 veta
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, denoncoi sot përdorimin e buxhetit të shtetit nga qeveria “Rama” për oligarkët dhe jo për investime. Në takimin e zhvilluar me të rinjtë në Korçë, Basha u shpreh se janë 120 milionë euro që Edi Rama i shpërndanë vetëm për 12 oligarkë.
“120 milionë euro jepen për konnçensione për 12 veta dhe nuk sjellin asnjë dobi, ndërsa do të mjaftonin 70 milionë euro për të bërë ndryshim në arsim. Ky është plani ynë. Mbështetje për universitet dhe për studentët në nevojë”,- tha Basha gjatë takimit me të rinjtë.
Basha shtoi se Edi Rama ka zgjedhur që të mos ndihmojë të rinjtë, por t’u japë para vetëm 12 personave.
“Ky kryeministër ka zgjedhur që këto para të mos i japë për arsimin, por për 12 veta duke krijuar pashallëkun e Edi Ramës me 10-12 persona”,- deklaroi Basha.
Nga Korça Basha komentoi arrestimin e Redjan Rrajës si një nga atentatorët e prokurorit Arjan Ndoj. Kreu i PD tha se ai nuk është i panjohur por është pjesë e bandave të pushtetit, teksa shtoi se sulmi është një ‘atentat mafioz’. Basha e cilësoi një lajm të rëndë që nuk i bën mirë gjendjes se depresionit ku sipas tij ndodhet vendi. “Unë po vij nga Tirana ku siç e keni ndjekur sot ka pasur një tjetër skandal, disa skandale por njëri që vazhdon e vazhdon është zbuluar siç thamë edhe para 4 ditësh është zbuluar një nga autorët që besohet se ka qenë pjesë e atentatit mafioz dhe nuk është askush i panjohur, është pjesë e pushtetit, pjesë e bandave të pushtetit. E gjitha është luftë bandash, bandat në pushtet që luftojnë me njëra-tjetrën për të grabitur më shumë. Natyrisht ky është një lajm i rëndë, i cili nuk i bën aspak mirë gjendjes së vendit që është një gjendje e depresuar, depresioni psikologjik, social, mbi të gjitha ekonomik”, deklaroi kreu i PD.