Basha: 13 Tetori e vetmja datë kushtetuese, s’ka përçarje mes opozitës
LSI, PAA dhe PR, kërkuan të regjistrohen në KQZ për zgjedhjet e 13 Tetorit, pas dekretit të Presidentit Ilir Meta por këtë hap nuk e ka bërë PD edhe pse është shprehur se njeh dekretin e Presidentit. Sot gjatë konferencës me gazetarët, kreu i PD-së, Lulzim Basha tha opozita nuk është përçarë. Ai theksoi se mbështet dekretin e Kreut të Shtetit për 13 Tetorin, ndërsa shtoi se ata që nuk e zbatojnë këtë vendim do të mbajnë përgjegjësi. ”Nuk ka përçarje mes opozitës. Të gjitha institucionet duhet të zbatonin dekretin e Presidentit dhe të gjithë do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale. Mund të vonojë por nuk do të harrojë”.
Pjesë nga deklarata
Nuk ka asnjë përçarje në gjirin e opozitës. Qendrimi ynë është i qartë. 13 tetori është e vetmja datë kushtetuese e zgjedhjeve në Shqipëri. KQZ dhe të gjitha institucionet e tjera duhet të zbatonin dekretin e presidentit. Moszbatimi i ngarkon ato me përgjegjësi ligjore dhe penale. Të gjithë do të vihen përballë përgjegjësisë ligjore dhe penale.
Zgjidhja mund të vonojë por nuk do të mungojë momenti, kur ata do të vihen përpara përgjegjësisë ligjore dhe penale. Por duhet të dallojmë të drejtën e partive politike për të mbajtur qendrimet e tyre politike në raport me çdo proces dhe shtetin e së drejtës, detyrimet kushtetuese dhe ligjore të KQZ dhe institucioenve të tjera. Vendimet partiake për të hyrë apo jo në zgjedhje janë vendime partiake. Vendimet për të hyrë apo jo nuk shkelin as kushtetutën e as ligjin, pavarësisht prej ndikimeve që ai mund të ketë. Kur institucionet kushteutese shkelin kushtetutën dhe ligjin, ata duhet të mbajnë përgjegjësi.
Vendimi i opozitës për të mos hyrë në zgjedhjet e 30 qershorit ishte një vendim unanim. Disa parti kanë bërë kërkesë për t’u regjistruar në zgjedhje, në mënyrë që të detyronin KQZ të mos marrë qendrime antikushtetuese e antiligjore. Presidenti po përpiqet në mënyrë altive në zgjidhjen e krizës. Thelbi i qendrimit të presidentit është i njëjtë me qendrimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve tanë, që ne kërkojmë të vijmë në pushtet me zgjedhje. Qendrimi ynë ndaj zgjedhjeve të organizuara nga Edi Rama ka qenë I qartë, transparent, I argumentuar dhe tashmë i faktuar.