Basha: Rama, strategji për të qeverisur me krimin. Zgjidhja janë vetëm zgjedhjet e parakohshme
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi sot për shkarkimin nga KQZ të kandidatit të Edi Ramës në Vorë, Agim Kajmaku. Basha tha se kandidimi nga Rama i njerëzve më precedentë penalë është një poshtërim i Edi Ramës për shqiptarët.
“Agim Kajmaku është fytyra e Edi Ramës. Është një poshtërim për PS në radhë të parë, nga e cila nuk nxjerr dot kandidatë të padënuar, të painkriminuar, të pazhytur dhe të pakorruptuar, por nxjerr llumin e llumit. Por është një poshtërim edhe për qytetarët shqiptarë, që shkëlqejnë kudo në botë, por në vendin e tyre qeverisen nga kriminelë e trafikantë që e kanë vendin në burg”,- tha Basha.
Basha tha se për këdo që ka pasur dyshime se 2013, 2015, 2017 apo 2019 janë rastësi, “tani ka të gjitha provat se kjo ka qenë një skemë e mirëmenduar e Edi Ramës për t’i dorëzuar pushtetin krimit, prandaj qeveris me krimin dhe e mban pushtetin me krimin.”
Kreu i PD-së deklaroi se se e vetmja zgjidhje është t’i kthehet pushteti popullit dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare me një qeveri kujdestare që të garantojë votën. “Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme, me një qeveri kujdestare që të garantojë votën”,- deklaroi kreu i PD-së, Lulzim Basha.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi sot shkarkimin nga detyra të kryebashiakut të Vorës Agim Kajmaku, pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit faktin që ishte arrestuar në Greqi dhe se ndaj tij kishte patur një procedim penal në shtetin fqinj. Rasti i kryebashkiakut socialist u bë publik nga opozita. Ishte ajo që e akuzoi atë se kishte qenë i ndaluar në Greqi, në Janar të vitit 2003 nën emrin Jorgo Toto, dhe më pas solli dhe një sërë dokumentash në mbështetje të denoncimit të saj. Kryebashkiaku socialist i Vorës, në mënyrë të përsëritur mohoi akuzat e Partisë Demokratike, dhe kur kjo e fundit tregoi pasaportën që ai kishte mbajtur me emrin Jorgo Toto, duke këmbëngulur se nuk është arrestuar ndonjëherë në Greqi e duke folur për një “sulm politik” të Partisë Demokratike ndaj tij.
Edi Rama komentoi vendimin e KQZ sot dhe tha se institucionet zbatuan ligjin, ndërkohë prej disa muajsh që kur nisën denoncimet e PD nuk ka pranuar të fliste për kandidatin e zgjedhur të PS.