Basha: Vendi ka nevojë për ndryshim, për frymëmarrje dhe model të ri ekonomik
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha cilëson si shkaktare të krizës ekonomike në vend, keqqeverisjen e kryeministrit Edi Rama. Në një postim në “Facebook”, kryedemokrati Basha skanon situatën teksa thekson se 100 mijë shqiptarë kanë humbur punën dhe 32 mijë biznese janë mbyllur këtë vit.
Basha citon Bankën Botërore, sipas të cilës 6 në 10 biznese të regjistruara nuk realizuan asnjë fitim pas heqjes së masave bllokuese.
Kreu i PD deklaron se kriza e thellë ekonomike nuk zgjidhet me propagandë e shfaqje të lodhura me regji qendrore, por me ndërhyrje emergjente. Ai shprehet se me planin ekonomik të opozitës dhe taksa të ulëta do të çlirojmë nga makthi biznesin dhe ekonominë që shqiptarët të jetojnë me dinjitet
DEKLARATA E PLOTË
Të paktën 100 mijë shqiptarë kanë humbur vendin e punës për shkak se 32 mijë biznese janë mbyllur këtë vit.
6 në 10 biznese të regjistruara në Shqipëri nuk kanë realizuar asnjë fitim pas heqjes së masave bllokuese sipas një studimi të Bankës Botërore, çka paralajmëron të tjera falimentime dhe mbyllje vendesh pune.
Kjo krizë e thellë ekonomike nuk zgjidhet me propagandë e shfaqje të lodhura me regji qendrore, por me ndërhyrje emergjente.
Por këtë nuk mund ta bëjë ai që në 7 vite ka rritur taksat dhe çmimet, dhe paratë e shqiptarëve i ka vjedhur e shpërdoruar me një grusht oligarkësh, përmes PPP-ve, koncesioneve dhe tenderave korruptivë.
Vendi ka nevojë per ndryshim, për frymëmarrje dhe model të ri ekonomik që mund të arrihet vetëm përmes një qeverisje ndryshe.
Me planin tonë ekonomik ne do të ulim taksat, taksa e sheshtë 9%, mbështetja për biznesin e vogël, moratoriumi për inspektoriatet dhe taksidarët dhe masa të tjera, do të çlirojnë biznesin nga ankthi dhe do të krijojnë mundësi për çdo shqiptar të punojë e jetojë me dinjitet në vendin e tij.