BE dhe Gjermania paralajmërojnë Ramën: Mos voto Kodin pa ardhur mendimi i Venecias!

Alarm në Bruksel për kursin antidemokratik të qeverisë “Rama”. Tetë eurodeputetë shuplakë kryeministrit: “Jemi të zhgënjyer nga shkelja e 5 qershorit dhe ndryshimi i njëanshëm i Kodit Zgjedhor. Tërhiqu urgjent nga votimi në Kuvend”. Kryetari i Komisionit të Jashtëm në PE: “Mos votoni kundër dekretit të Metës, pa folur më parë Komisioni i Venecias”. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë: “Pa u plotësuar kushtet, nuk ka negociata në dhjetor”.
Qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë qenë dje në një bombardim ndërkombëtar për shkeljet ligjore dhe kushtetuese me ndryshimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor. Tetë eurodeputetë të Parlamentit Europian, kreu i Komisionit të Jashtëm në PE dhe ministri i Jashtëm i Gjermanisë kanë bërë paralajmërime të forta për mazhorancën dhe në adresë personale të Edi Ramës. Kërkesa e ndërkombëtarëve është e qartë. Mazhoranca e PS në Kuvend nuk duhet të votojë kundër dekretit të Presidentit Ilir Meta për ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutë, pa ardhur mendimi nga Komisioni Venecias. Zyrtarët e lartë të BE kërkojnë që votimi të kryhet vetëm pasi të ketë folur Komisioni i Venecias, institucion të cilin e ka kërkuar të përfshihet për ekspertizë ligjore presidenti Ilir Meta. Tetë eurodeputetët, në një letër personale drejtuar Edi Ramës i thonë hapur se janë të zhgënjyer dhe të shokuar nga vendimi i tij për të rrëzuar marrëveshjen e 5 qershorit. Në mënyrë të qartë ata shkruajnë se ndryshimi i njëanshëm i mënyrës së ndarjes së mandateve është antidemokratike dhe rrezikon zgjedhjet. Po ashtu, eurodeputetët shprehen të habitur sesi kryeministri i Shqipërisë refuzon kërkesën e Komisionerit të BE për të shtyrë votimin e dekretit. Duke renditur gjithë shkeljet e Edi Ramës, ata e paralajmërojnë se këto akte do të kenë pasoja në procesin e integrimit. “
Para publikimit të letrës së eurodeputetëve, ishte Kryetari e Komisionit të Jashtëm në PE, Devid Mcallister, i cili në një reagim të ashpër kërkonte që ditën e sotme, Kuvendit të mos vijojë me procedurën e votimit. “Ekstremisht i shqetësuar se, përkundër thirrjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke nxitur të presim një mendim të Komisionit të Venecias , votimi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor të Shqipërisë janë caktuar për nesër (sot)”,- shprehet David McAllister. Zyrtari i lartë i BE, i cili ka është përpjekur 4 vite më parë të zgjidhë krizën politike në Shqipëri, deklaron se votimet e njëanshme mund të rrëzojnë integrimin e Shqipërisë.
Për ta bërë dhe më të qartë rrezikun që po kanos vendit qeveria “Rama” për negociatat, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, në një fjalim të mbajtur dje në Berlin la të kuptohet se mund të ketë një bllokim të negociatave dhe ndarje nga Maqedonia e Veriut. Kjo do të thotë se në dhjetor BE mund të vendos që të mos mbahet takimi ndërqeveritar mes Shqipërisë dhe Brukselit. Një zhvillim i tillë që tashmë përmendet në mënyrë zyrtare nga kryediplomati i Gjermanisë është skenari më i keq për Shqipërinë. Ndarja nga Maqedonia e Veriut në ketë proces, rrezikon të shtyjë për shumë vite integrimin. Vendi që nisi procesin afrimit me BE para Serbisë dhe në të njëjtën kohë me Kroacinë, rezulton të mbetet i fundit në rajon për shkak të vendimeve të qeverisë “Rama”. Ministri gjerman tha se në dhjetor çdo gjë do të shihet nga kushtet që do të përmbushë Shqipëria, duke lënë të hapur mundësinë që në këto pak muaj të ketë reflektim. Një prej kushteve që përmend ministri gjerman dhe BE është kryerja e reformës zgjedhore me konsensus. Këtë kusht Edi Rama po e djeg me vetëdije me vendimin që ka marrë për kalimin e Kodit Zgjedhor ditën e sotme dhe rrëzimin e dekretit të Presidentit. Në vend të ftesës së presidentit dhe reflektimit për ndyshimet e njeanshme, Edi Rama ka zgjedhur kursin e përplasjes dhe të sfidës ndaj ndërkombëtarëve. Ky akt i PS dhe Ramës do të sjellë shkatërrimin e standardit të zgjedhjeve që në nisje të tyre, por gjithashtu po shënon dhe ndarjen e qartë të Edi Ramës me parimet e BE dhe me ndërkombëtarët.
Edi Rama ka dhe pak orë kohë të reflektojë. Nëse rrëzon dekretin e Presidentit do të hap derën e kaosit dhe destabilitetit. Ndërkombëtarët e paralajmëruan dhe ultimatumi ishte ne emrin e tij personal.
Edhe përgjegjsia do jetë personale pas 25 prillit./Mili Xhani/

SHKARKO APP