BE: Kishte një plan për ndarjen e Kosovës

Para se Edi Rama të vazhdojë refrenin për “kasetën” e Lulzim Bashës duhet të përgjigjet personalisht për pazaret që u bënë në kurriz të Kosovës me harta dhe territore .
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, ka zbuluar për mediat serbe pazaret që janë bërë vitet e fundit lidhur me territorin e Kosovës. Në një intervistë, kryediplomati i BE deklaroi se “ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë në tryezën e dialogut, por kjo nuk është më një mundësi”. Deklarata është konfirmimi i një plani që është diskutuar vitet e fundit në Ballkan, por asnjë prej zyrtarëve shtetërore në Kosovë, Serbi dhe në Shqipëri nuk e ka pranuar publikisht. Disa muaj më parë, një deklaratë e ngjashme u bë nga John Bolton, ish-Këshilltari për Sigurinë i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. John Bolton shkoi dhe më tej në qëndrimin e tij, duke u shprehur se nuk ishte ai dhe Departamenti i Shtetit në SHBA që qëndronin pas një plani të tillë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Si pjesë e këtij plani rezulton të jetë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Ka deklarata pa fund të zyrtarëve në Kosovë dhe zyrtarëve apo ish-zyrtarëve ndërkombëtarë që pranojnë Edi Rama ka qenë në dijeni të këtij projekti dhe e ka mbështetur atë.
Deklarata që ka bërë së fundi, Josep Borrell rrëzon çdo deklaratë mohuese që është bërë nga politikanët kryesorë për këtë çështje. Praktikisht SHBA dhe BE janë distancuar nga ky projekt dhe kanë vendosur të nxjerrin në skenë ideatorët e vërtetë të saj. Që në fillim është thënë se projekti i ndarjes nuk ka lidhje me Shqipërinë, por ekziston prej më shumë se 30 vite në skenarët e Serbisë për Kosovën. Diplomatë të Shqipërisë dhe ish-ministra të Jashtëm kanë deklaruar se në shumë raste, pala serbe është paraqitur me variantin e copëtimit të një pjese të territorit të Kosovës. Tashmë që projekti është rrëzuar si ide dhe shtete kryesore në botë vendosën të mos i hyjnë kësaj loje në Ballkan, vlen të analizohet se cili ishte roli i Tiranës zyrtare dhe përse u përfshi në një projekt kaq të rrezikshëm.
Personi i parë që duhet të japë shpjegime është kryeministri Edi Rama. Është politikani që këto vite ka shtuar bashkëpunimin me Serbinë dhe ka nxitur konflikte dhe ka bërë padi ndaj politikanëve në Kosovë që kundërshtonin ndarjen. Sherri dhe padia ndaj Ramush Haradinajt, kishte si bazë pikërisht denoncimin që ish-kryeministri i Kosovës bëri ndaj Edi Ramës për planin e ndarjes. Edi Rama e tërhoqi padinë, por vetëm pasi nga Gjermania dhe SHBA u dhanë sinjale të qarta se çështja e kufijve ballkanik nuk duhej prekur në asnjë mënyrë. Publikisht Edi Rama nuk ka folur kurrë pro ndarjes, por aktet që ka bërë si kryeministër gjithmonë i kanë shërbyer këtij projekti. Ditmir Bushati u largua nga posti i Ministrit të Jashtëm vetëm pak kohë pasi doli hapur kundër çdo loje me kufijtë. Miku i Edi Ramës dhe ish-Kryeministri i Suedisë Carl Bildt, deklaroi dy vite më parë se kryeministri i Shqipërisë ishte dakord me ndarjen dhe projektin e Serbisë për Kosovën. Ndërkohë që Beograd ishin hapur hartat dhe mateshin kufijtë, Edi Rama u afrua edhe me tepër me Serbinë dhe firmoste marrëveshje që dëmtonin pozicionin e Kosovës.
Janë kaq shumë detaje që tregojnë për rolin e gabuar të qeverisë së Tiranës ndaj Kosovës, sa Edi Rama nuk mund të heshtë më. Teksa përditë kërkon “kasetën” e Masakrës së Krushës nga Lulzim Basha, e cila është gjithë kohën online në internet, bën mirë të flasë për rolin e tij në idenë e ndarjes së Kosovës.

SHKARKO APP