Ben Blushi: THE AFGHAN GIRL
Nga: Ben Blushi
Këto ditë dëgjova, se 200 afganë, që janë vendosur përkohësisht në Shëngjin, u larguan për në SHBA. Por Monira, vajza në këtë foto nuk ishte një prej tyre. Kur e takova para dy javësh në shkollën e Shëngjinit, ku mësonte pasdite bashkë me dhjetëra fëmijë të tjerë afganë, ajo pranoi ta fotografoja siç është e pambuluar.
E pashë në plazh duke shkuar bashkë me shoqet në shkollë dhe kur e pyeta si quhet shkolla, ajo e kishte shumë të vështirë për ta shqiptuar. Shkolla e Shëngjinit ku mësojnë fëmijët afganë, quhet At Zef Pllumi. Natyrisht Monira e kishte të pamundur ta artikulonte emrin e këtij prifti të ndritur shqiptar, po aq sa unë do e kisha të pamundur të shqiptoja një nga emrat më të përhapur në Afganistan, psh, Forozendah, që do të thotë, I Ndritur.
Pasi e fotografova mu desh dy javë për të marrë pëlqimin e prindërve, se fotot e vajzës së tyre të pambuluar mund të bëheshin publike.
Monira që shihni, shumë shpejt do të largohet si shumica e afganëve, sirianëve, iranianëve, ukrainasve që vijnë këtu, të dëbuar nga lufta dhe persekutimet në vendet e tyre. Sa mirë do ishte të kishin mbetur këtu.
Ky është një debat real në Evropë dhe një debat lluksi në Shqipëri. Por nëse një ditë do ketë vlerë, do votoja me të dy duart që ne të pranonim më shumë refugjatë dhe emigrantë. Jo vetëm për arsye praktike, nevojë për fuqi, puntorë, por edhe për arsye kulturore dhe demografike.
Imagjinoni Shqipërinë pas 50 vitesh me shumë grupe të huajsh, që janë vendosur këtu çfarë pasurie do ishte për ne. Suedeze që vijnë për tu plakur dhe për diell, sirianë që punojnë në bujqësi, afganë që merren me shërbime, indianë që dominojnë tregun e informatikës, afrikanë që luajnë futboll, italianë që bëjnë restorante dhe na qepin rroba, ukrainas që punojë si agjentë turistikë.
Të gjithë këta do ishin shqiptarë, me të drejtë vote që punojnë në administratë, në gjykata, në ushtri, në polici etj. Imagjinoni pas kaq vitesh drejtori i policisë të jetë afgan, ministrja e kulturës iraniane e lindur në Shqipëri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese sirian dhe ambasadorja jonë në Amerikë të jetë ukrainase me origjinë.
Kjo do ishte një Shqipëri fantastike, e denjë për një libër që nuk i ka ardhur koha. Shqipëria e hapur dhe multikulturore mund të jetë një shpëtim për ne që sot lindim shumë më pak bebe se 30 vite më parë. Të huajt mund ti sjellin Shqipërisë energji që ne po na shterrojnë dhe natyrisht nuk do ti bëjnë asnjë dëm. Më shumë dëm se shqiptarët, të huajt nuk i bëjnë dot Shqipërisë. Prandaj është koha mos i lëmë të ikin.