“Berisha-Meta po shfrytëzojnë protestat. Ata duan të marrin PD-në, pasi Ramën nuk e rrëzojnë dot”
Boiken Abazi, njeri i VetVendosjes në Tiranë ka thënë se pas kësaj lëvizje protestash fshihet Meta dhe Berisha. Sipas Abazit, Sali Berisha dhe Ilir Meta luajnë një rol në protestat. Ata kërkojnë të faktorizohen si opozita e vendit dhe t’ia provojnë ndërkombëtarëve këtë.
Ja se çfarë deklaron Boiken Abazi: “Rama pretendon se protestat në mbrapaskenë i shtynë Berisha dhe Meta. Pajtohem pjesërisht me këtë konstatim të Ramës. Berisha dhe Meta kanë interesin t’i dëshmojnë ndërkombëtarëve se ata janë faktor i paanashkalueshëm. Tashmë që kanë fituar Shkodrën dhe kanë mundur Bashën bindshëm, ata synojnë rimarrjen e kontrollit të PD-së zyrtare, ku më tej marrin edhe të drejtat për komisionet parlamentare, kohën në foltoren e Kuvendit, buxhetin që i takon PD-së dhe komisionerët në zgjedhjet e ardhshme. Ata po kërkojnë normalizimin e marrëdhënies së tyre me ndërkombëtarët dhe njohjen e tyre formale si opozita kryesore e vendit.
Thirrja mbizotëruese në protestë është “Rama Ik”. Berisha dhe Meta e dinë që në kohë lufte ndërkombëtarët do bëjnë çmos që Rama mos të largohet me protesta për shkak të idesë se vendi ka nevojë për stabilitet. Berisha dhe Meta e dinë që gjasat që të ndodh largimi i Ramës në këtë kohë janë të vogla, prandaj interesi i tyre kryesor është presioni nga poshtë me protesta për rimarrjen e opozitës zyrtare të vendit duke dëshmuar se janë të aftë të organizohen në terren, në Tiranë e në rrethe, duke i nxjerr njerëzit e tyre në protesta që i pamundësojnë Ramës të qeverisë me stabilitet në një gjendje lufte. Ka mundësi që nëse Berisha dhe Meta marrin atë që po kërkojnë në lidhje me PD-në dhe opozitën, do ishin të gatshëm të mos i shtynin njerëzit e tyre të dalin në këto protesta.” – shkruan Boiken Abazi në Facebook.
Por me tej ai thotë se protesta kalon edhe përtej interesave të dyshes Meta-Berisha. Aty ka njerëz të vertetë që nuk kanë lidhje me dyshen në fjalë.
“Mirëpo, shpjegimi i mësipërm nuk është shterues. Në protesta po marrin pjesë edhe qytetarë e grupime formale dhe informale që nuk janë aty për synimet e Berishës dhe Metës. Këto grupe nuk janë të lidhur me njeri-tjetrin, nuk kanë të njëjtat synime e bindje, dhe nuk kanë as të njëjtat kërkesa të unfikuara. Pjesëmarrja e ketyre qytetarëve dhe fakti që qeveria tashmë ka bërë disa “lëshime” dhe ka ndërmarrë disa masa të pjesshme, dëshmon për faktin se protestat ishin të drejta dhe tejkalojnë interesat e Berishës, Metës dhe Ramës, apo edhe të negociatave dhe presioneve që mund të jenë duke u zhvilluar në mbrapaskenë.” – u shpreh Abazi.
Ndërkohë me 24 korrik Ilir Meta zbret nga presidenca direkt në Bulevard.
KOHA JONË SONDAZH

