Berisha sfidon Ramën: Hajde të ndryshojmë Kodin Penal që kryeministri të hetohet në çdo kohë!
Përplasja mes kryeministrit Rama dhe ish-kryeministrit Berisha arrin te sfida e fundit ku Berisha ka thënë se është i gatshëm të propozojë në parlament, vendimin që përjashton kryeministrat nga parashkrimi i veprës penale.
Thirrja e Berishës ka ardhur dy herë ditën e djeshme, njëherë nga bashkëbisedimi me gazetarët në Tiranë dhe më pas gjatë takimit të tij në Elbasan, në kuadër të garës për kreun e PD.
Berisha theksoi: “Nuk kanë përgjegjësi vendet e Evropës kur ai mban qëndrime si Kim Jong-un ndaj Drejtësisë për të hetuar kundërshtarët tuaj. Nëse je burrë dhe ta mban hajde të kalojmë ligjin në Parlament të përjashtojmë kryeministrat nga çdo lloj parashkrimi penal. Urdhëro që nesër të kalojmë ligjin në Parlament, të ndryshojmë Kodin penal. Të vetmit që të përjashtojmë nga parashkrimi të jenë kryeministrat. Dhe s’duhet parashkruar. Se deri tani kryeministrit shpëtonin nga ndjekja penale se kishte një afat, por Berisha thotë të mos ketë asnjë afat për hetim ndaj kryeministrave.
Nuk e bën dot këtë se ka frikë dhe tmerr nga firmat e tij për të cilat thotë se nuk di ç’kam firmosur për të mbushur valixhet. Unë ftova kreun e qeverisë t’i përgjigjet thirrjes sime. Unë jam gati të firmos për këtë ndryshim pa asnjë ekuivok. Pas qindra dhe mijëra kontrolleve nuk kanë gjetur dot asnjë shkelje për të provuar shpifjet e tyre, e tani thonë që koha kur kam qenë unë kryeministër është e parashkruar. Unë e kam deklaruar që nuk njoh parashkrim. Nëse do, unë jam gati nesër të votoj që parashkrimi të funksionojë, por jo për kryeministrat. Nuk mund të ketë parashkrim kur kryeministri bëhet kryetar i një organizate kriminale”, tha Berisha.
Kjo është sfida më e fortë që Berisha hedh në drejtim të Ramës.
Çfarë është parashkrimi penal?
Neni 66 i Kodit Penal
Parashkrimi i ndjekjes penale
Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar:
- a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë;
- b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim;
- c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë;
ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim;
- d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë