Berisha sulmon Presidentin Meta se shkeli Kushtetutën duke firmosur jashtë shtetit
Sot me urgjencë nga Stambolli ku ndodhet Presidenti Ilir Meta në vizitë zyrtare ka firmosur dekretin për lirimin nga detyra e shefit të përgjithshëm. Nuk lejohet që një ushtarak të kandidojë për detyra të tjera, ndaj duhej dekreti presidencial. Por Ilir Meta duke qenë jashtë shtetit, nuk kishte mundësi të kthehej në Shqipëri për të firmosur dekretin, ndaj e firmosi në Turqi.
Por ish-kryeministri Berisha ka sulmuar fort Presidentin Meta. Ish-kryeministrit dhe kryetar i PD tha se Presidenti e humbet fuqinë e dekreteve jashtë territorit të vendit të tij.
“Presidenti humbet fuqinë e dekreteve jashtë territorit të vendit të tij. Jashtë territorit nuk ka dekret. Kur je jashtë vendit, Kryetar Shteti është kryetari i Parlamentit. Ky është rregulli i Evropës. Nuk e imagjinonim që mund të kishte një shkelje të tillë kushtetuese. Jemi në kushtet e shkeljes flagrante të Kushtetutës. Ndaj kërkova ta bëj këtë deklaratë në Kuvend, por zonja Linda Nikolla që e ka si me çelës Parlamentin, nuk ma dha fjalën. Nuk ka sallë asambleje në botë, përfshirë ajo e OKB, që kur kërkon fjalën për cështje procedure, nuk të jepet fjala, kjo ndodh vetëm në Parlamentin shqiptar, që znj. Lindita e përdor si dyqanin e vet”, tha Berisha.
Por mënjëherë ka dalë Taulant Balla me urdhër të kryeministrit Rama. Sipas Ballës, dekreti nga kreu i shtetit është firmosur në konsullatën shqiptare në Turqi, që konsiderohet tokë shqiptare.
“Kushtetuta është shumë e qartë, raporti i Komisionit të Ligjeve e ka sqaruar. Fantazmat si Berisha kanë probleme me gjeografinë. Të thuash që kjo çështje, që konsullata shqiptare në Stamboll nuk është tokë shqiptare, por është turke, është njësoj sikur ka thënë dikur që deti i Shqipërisë është i Greqisë, apo gjykatën e Parisit që e ka bërë gjykatë amerikane se nuk shkon dot vetë në Amerikë”, tha Balla.
Sipas tij “Procesi është tërësisht kushtetues. Kuvendi i Shqipërisë sot ka pritur me seriozitet gjithë procedurën e nisur nga Ministria e Mbrojtjes, Kryeministri dhe Presidenti. Nëse Berisha është i pakënaqur nga Meta dhe do të çojë Metën në Kushtetuese, ta provojë”- deklaroi Balla.