Presidenti Meta me homologun maqedonas: E vetmja rrugë e dy vendeve, integrim në BE
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ndodhet për një vizitë në Tiranë. Pas pjesëmarrjes në Samitin e Paqes për Evropën Juglindore, që u zhvillua sot në kryeqytetin shqiptar, kreu i shteti maqedonas është pritur me ceremoni shtetërore në Presidencë nga Presidenti, Ilir Meta. Pendarovski mbërriti në Shqipëri pas një ftese nga Meta për një vizitë shtetërore në Tiranë.
Pas ceremonisë zyrtare, dy presidentët zhvilluan një konferencë të përbashkët për mediat.
Në fjalën e tij, Presidenti Ilir Meta vlerësoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet të jenë më të mira dhe bashkëpunimi duhet të jetë në çdo fushë si mes dy fqinjëve.
Lidhur me procesin e integrimit në BE, Presidenti tha se nuk ishte i kënaqur me zhvillimet e fundit, por theksoi se dy vendet duhet të shtojnë përpjekjet për marrjen e negociatave.
“Nuk jemi të lumtur lidhur me zhvillimet për çeljen e negociatave, por jemi të bindur se e vetmja rrugë për dy vendet dhe Ballkanin mbetet anëtarësimi në BE. Ne do të forcojmë përpjekjet tona si në planin e brendshëm dhe me BE, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të kemi zhvillime pozitiv. Çdo lëvizje tjetër do të ishe e papranueshme në rajon”,- tha ndër të tjera Presidenti Meta.