Damian Gjiknuri: Fatos Nano kandidat për President? Vetëm nëse e propozon opozita!

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në “News24” me gazetaren Nisida Tufa, Sekretari i Përgjithshëm i PS, deputeti Damian Gjiknuri foli edhe për Presidentin e ri të Republikës.

Sa i përket emrit të ish kryeministrit Fatos Nano për postin e kreut të shtetit, ai tha se nëse opozita bie dakord, ai mund të jetë një kandidat për tu vendosur në krye të shtetit.

“Emri i Fatos Nanos si kandidat për presidentin e ri, personalisht nuk e përjashtoj nëse mund të ishte një nga propozimet e opozitës. I vetmi përjashtim është të mos jetë pjesë e grupit të PS dhe mos të ketë back ground politik. Gjithsesi nëse do të prezantohet nga opozita mbetej për tu parë.

Ne do dalim me kandidatin tonë pasi të përfundojnë raundet e para. Kam frikë se edhe raundi 2 do shkojë dëm pa një kandidat nga opozita.

Ne kemi një detyrë kushtetuese të bëjmë vendin me një president shumë më të mirë se ai që kemi pasur. Modeli më i keq pas Berishës ka qenë Ilir Meta. Të gjithë presidentët e tjerë kanë qenë më të mirë se këta të dy. Mosiu ishte shumë gjithëpërfshirës, edhe Mejdani, edhe Nishani pavarësisht se ishte partiak u tregua shumë më i kujdesshëm në ekuilibrat politike. Ka ardhur koha të kemi një figurë të ngjashme me Moisiun pa interesa politike. Dua të shoh në Presidencë një njeri që respekton traditat tona, palët politike dhe jep mesazhet e duhura si figurë që tregon unitetin e kombit.

Për mua nuk ka rëndësi nëse është president apo presidente, kemi mjaftueshëm figura në 2 gjinitë që e bëjnë shumë mirë këtë punë” ka deklaruar ai.

Gjatë bisedës në studio Gjiknuri theksoi se janë të hapur për t’u ulur me opozitën dhe për të diskutuar.

Gjithashtu i ndalur tek zhvillimi i procesit në prani të kamerave, Gjiknuri tha se kjo tregoi thjesht paaftësi, pasi sipas tij diplomacia nuk bëhet në këtë mënyrë.

“Kjo e kamerave është si njeriu që ka frikë të marrë vendime. Ka natyrë vendimesh që merren para kamerave, por kjo është thjesht paaftësi për të marrë vendime,. Nuk bëhet diplomacia kështu, nuk bëhet vendimmarrja me ultimatume”, tha ai, duke shtuar: “Disa zhvillime të orëve të fundit të opozitës më kanë shqetësuar. Prisnim një dialog, pra do të thotë që palët të ulen pa kushte dhe opozita të vinte me një listë dhe të uleshin në një tavolinë negociata, por kjo nuk ndodhi.”, tha Gjiknuri.

Me sa duket opozita edhe këto dy raunde nuk ka kandidat se nuk bien dakort mes njeri tjetrit, ndaj kjo tregon një turp se në çfarë gjendje ka renë opozita dhe sidomos PD.

 

SHKARKO APP