Debate në mbledhjen e PS. Sterkaj, Ramës: E keni bërë partinë si tender

Është shoqëruar me debate të forta mbledhja e sotme në selinë e PS-së, të mbajtur mes kryesocialistit Edi Rama dhe kryetarëve të PS-së, deputetëve dhe kryebashkiakëve të veriut.

Në debat është përfshirë Edi Rama dhe deputeti Paulin Sterkaj, i cili ka akuzuar kryesocialistin se e ka bërë çështjen e emërimit të drejtorëve të Shkodrës si tender.

Pjesë nga debati në mbledhjen e PS:

Sterkaj: “E keni bërë si tender këtë çështje. Secili çon emrat e vet”.

Rama: “Nuk e kemi bërë tender. Musai më ka thënë që i keni çuar nga 7 lista. Kam menduar që ju do ta zgjidhni këtë gjë. Tani do merrem vetë. Meqë ju nuk i dhatë drejtim. Të hënën mbledhje e posaçme vetëm me Shkodrën për këtë gjë.  Për aq kohë sa ju nuk vendosni mes jush, do t’i vendos unë”.

Një ditë më parë kryeministri Edi Rama urdhëroi shkrirjen e gjithë strukturave të PS në qytetin e Shkodrës. Vendimi erdhi pas kundërshtimeve që drejtuesit e degës së partisë kishin ndaj Edi Ramës lidhur me emërimet e drejtorëve në postet kyçe të administratës në këtë qytet. Kryeministri ka vendosur që drejtorët t’i emërojë jo nga Shkodra, por nga zona të tjera duke krijuar pakënaqësi mes socialistëve me kontribut historik në këtë qytet.

SHKARKO APP