Dëmet e tërmetit, kryeprokurori: Ndërtues dhe zyrtarë do mbajnë përgjegjësi për ndërtimet
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, një ditë pas marrjes së detyrës me mandat 7-vjeçar, ka shkuar sot në Durrës për t’u informuar mbi hetimet që prokuroria e këtij qyteti ka nisur për pallatet e dëmtuara nga tërmeti.
Në një prononcim për mediat, ai tha se rezultatet do të jenë të prekshme shumë shpejt. Çela konfirmoi se ka njerëz që kanë shkelur ligjin dhe kanë sjellë pasoja në humbjen e jetës së njerëzve nga tërmeti.
Kryeprokurori i ri deklaroj se ndërtues dhe zyrtarë shtetëror do të mbajnë përgjegjësi për shkeljet ligjore. “Prokuroria e Durrësit po kryen hetimet. Është krijuar një grup hetimor për çështjen në fjalë. Ne i japim mbështetjen maksimale me qëllim koordinimin dhe të gjitha kushtet për të siguruar një hetim të shpejtë dhe eficent dhe për ti dhënë përgjigje rasteve të cilat jemi të njohur. Jam i kënaqur me atë që dëgjova. Prokurorët janë të motivuar dhe shumë shpejt rezultatet do të jenë të prekshme. Ka njerëz që kanë shkelur ligjin dhe shumë kanë humbur jetën. Përgjegjësia do të shkojë atje ku është, qoftë tek ndërtuesi qoftë tek zyrtari. Nuk do ketë hezitim për asnjë rast”,- deklaroi Olsian Çela.
Ky është qëndrimi i parë i Prokurorisë lidhur me pasoja e hetimeve për dëmet e tërmetit të 26 nëntorit. Gjatë javës që lamë pas, prokuroria e Tiranës, Durrësit, Laçi dhe Lezhës kanë njoftuar nisjen e hetimeve për lejet e ndërtimi dhe kushteve teknike të ndërtesave që u dëmtuan më shumë nga tërmeti.