Departamenti Amerikan i Shtetit për Shqipërinë: Qeveria, bizneset dhe grupet kriminale ndikojnë tek mediat me mënyra të papërshtatshme
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paraqiti të martën raportin për të drejtat e njeriut në botë për vitin 2020, duke thënë se riafirmonte angazhimin e Shteteve të Bashkuara për ta vënë çështjen e të drejtave të njeriut në qendër të politikës së jashtme të të vendit.
Ai tha se duke dokumentuar çdo vit statusin e të drejtave të njeriut në botë, Departamenti i Shtetit siguron informacion objektiv dhe gjithëpërfshirës për Kongresin, shoqërinë civile, akademikët, aktivistët dhe të tjerët kudo që janë.
Zoti Blinken tha se raporti për vitin 2020 pasqyron sfidat e veçanta me të cilat u përballën vendet e ndryshme. Disa qeveri, tha ai, e përdorën krizën si pretekst për të kufizuar të drejtat dhe për të konsoliduar sundimin autoritar. Qeveri të tjera u mbështetën në vlerat dhe proceset demokratike, si shtypi i lirë, transparenca dhe llogaridhënia, për të informuar dhe mbrojtur qytetarët e tyre.
Zëri i Amerikës përgatititi një përmbledhje të pjesës së raportit për Shqipërinë: (fragmente)
Liria e shprehjes, përfshirë shtypin
Sipas DASH, gjatë vitit 2020 pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ndikonin tek media me mënyra të papërshtatshme.
Mediat e pavarura ishin aktive dhe shprehën një larmi pikëpamjesh, thuhet në raport, por “pati përpjekje për të ushtruar presion të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë politik dhe ekonomik mbi mediat, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që u përpoqën të hetonin krimin dhe korrupsionin”.
Në raport thuhet se “Pronarët e bizneseve përdorën lirisht mediat e tyre për të fituar favore dhe për të promovuar interesat e tyre tek partitë politike. Shumica e pronarëve të stacioneve televizive private përdorën përmbajtjen e transmetimeve të tyre për të ndikuar tek veprimet e qeverisë ndaj bizneseve të tyre të tjera.”
Në raportin për Shqipërinë thuhet gjithashtu se ka patur raporte të besueshme se përfaqësues të lartë të mediave i përdorën ato për të shantazhuar bizneset.
“Presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve i vunë kufizime medias së shkruar të pavarur, dhe gazetarët thuhet se praktikuan vetëcensurë. Pasiguria ekonomike për shkak të mungesës së kontratave të zbatueshme të punës uli pavarësinë e reporterëve dhe kontribuoi në paragjykimine në raportimet e tyre,” thuhet në raport.
Korrupsioni dhe mungesa e transparencës në qeveri
Ligji parashikon dënime penale për korrupsion nga zyrtarët publikë dhe ndalon që individët me dënime penale të shërbejnë si kryetarë bashkie, parlamentarë, ose në qeveri apo në pozicione shtetërore, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive, thuhet në raport. “Korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar. Shembujt përfshijnë një kandidat për kryetar bashkie në vitin 2019 i dënuar më parë për trafik droge.”
Kushtetuta e Shqipërisë, thuhet në raportin e DASH, kërkon që gjyqtarët dhe prokurorët t’i nënshtrohen vetingut për pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar dhe aftësi profesionale. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi vettingun dhe Dhoma e Apelit shqyrtoi vendimet e kontestuara. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, i përbërë nga ekspertë gjyqësorë ndërkombëtarë, mbikëqyri procesin. “Deri në nëntor, 125 gjykatës dhe prokurorë u shkarkuan, 103 u konfirmuan, ndërsa 48 të tjerë kishin dhënë dorëheqjen që të mos i nënshtroheshin vetingut,” thuhet në raport.
“Disa agjensi qeveritare hetuan raste korrupsioni, por burimet e kufizuara, rrjedhjet e të dhënave hetimore, presionet politike reale apo të perceptuara i penguan hetimet. Midis janarit dhe shtatorit, zyra e prokurorit të përgjithshëm regjistroi 20 raste të reja korrupsioni dhe pushoi shtatë prej tyre. Departamenti i Administratës, Transparencës dhe Antikorrupsionit hetoi 29 raste, duke rezultuar në 115 masa administrative dhe 153 masa disiplinore.”
Krijimi në dhjetor 2019 i Zyrës së Prokurorisë Speciale për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, një nga dy entitetet që përbëjnë Strukturën e Posaçme për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), thuhet në raport, rezultoi në 327 hetime të reja penale dhe 65 kërkesa të dërguara në gjykatë që nga nëntori.
“Ndërsa prokurorët bënë përparim të rëndësishëm në ndjekjen e çështjeve të nivelit të ulët të korrupsionit, përfshirë prokurorët dhe gjykatësit e korruptuar, ndjekja penale e të dyshuarve të nivelit më të lartë mbeti e rrallë për shkak të frikës së hetuesve nga ndëshkimi, mungesës së burimeve dhe korrupsionit brenda vetë gjyqësorit.”
“Inspektorati i Lartë njoftoi se deri në gusht, kishte referuar 60 çështje të reja për ndjekje penale, duke përfshirë dy deputetë, një zëvendësministër, tre kryetarë bashkish, 32 drejtorë të përgjithshëm të agjencive publike, një shef të prokurimit publik në dogana dhe pesë krerë të doganave rajonale,” thuhet në raport.
KOHA JONË SONDAZH

