Deputeti i PD: Të propozojmë kandidate për Presidente, Ina Ramën
Deputeti rebel i PD, Dashnor Sula kembëngul se duhet patjetër që PD të dalë me një kandidat për president.
“Në mbledhjen e grupit u morën vendime të rëndësishme, por sigurisht ka diskutime dhe debate sa i përket zgjedhjes së Presidentit. Qëndrime ka të ndryshme, por e rëndësishme është që fjala “bojkot” nuk duhet të ekzistojë më tek opozita. Unë jam i bindur që asnjë deputet i PS nuk ka asnjë lloj informacioni se kush do të jetë President, apo për emra të caktuar, por jam i bindur që opozita ka mbajtur qëndrimin e qartë. Tërheqja jonë ishte e drejtë, sepse në momentin që ne bëmë diçka konkrete në nxjerrjen e emrave, që nuk ishte diçka përfundimtare, por që nuk u pranua nga mazhoranca. PS nuk jep asnjë lloj garancie. Po e them copë që ky është legjitimitet i cunguar.
I jam drejtuar Berishës, duke i kërkuar që të mos përçahet PD. Asnjëra palë nuk bëri atë që duhej bërë, as Berisha, as Basha. Ka dhe një shans të fundit, që është vendimi i Gjykatës së Apelit. Nëse palët nuk do të bashkohen dhe do të bëjnë lojën e kungulleshkave, turpin do ta kenë kokat, jo demokratët.
Sa i përket Presidentit, unë nuk kam propozuar asnjë emër. Unë do dëshiroja që Presidenti të ishte nga sistemi i drejtësisë. Politikanët janë konfliktualë me njëri-tjetrin. Edhe Ina Rama padiskutim është një personalitet publik në sistemin e drejtësisë, e pa përgojuar, e pa përlyer. Nga informacionet që kam, Ina Rama ka treguar integritet në vendimmarrje, së bashku me disa të tjerë. Por, politika nuk i do këta, i do nga radhët e tij, sepse i mbajnë të lidhur me fijet e tyre. Rama e Balla e kanë zgjedhur dhe mendoj që do të jetë një kandidat, që përmbush shijet e tyre.
Do të uroja që raundi i tretë i bisedimeve për Presidentin të mos dështojë, pasi nëse emri zgjidhet nga grupi opozitar bashkë dhe mazhoranca, ky President është i gjithëpërfshirë, është i të gjithë shqiptarëve. Ndryshe le ta marrin dhe Presidentin, në pushtet nuk ngopen, në para jo, e kam thënë që janë të pashpirt. Këta janë tafmaqarë dhe të pangopur për pushtet”, tha deputeti Sula.