Dhuroi 100 mijë euro për tërmetin, Bebe Rexha mbërrin në Bubq: Jemi kombi i Nënë Terezës
Këngëtarja me origjinë shqiptare, Bebe Rexha pasi dhuroi 100 mijë dollarë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit ajo është shkëputur nga turi i saj dhe ka mbërritur së bashku me të atin në Bubq, për t’i ardhur personalisht në ndihmë të prekurve nga tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit.
Bebe u shpreh për mediat se qëllimi i vizitës së saj është të ndërgjegjësojë opinionin ndërkombëtar, si dhe të gjejë zgjedhjen më të mirë të mundshme për paratë e mbledhura.
Këngëtarja e njohur u shpreh krenare për origjinën e saj ndërkohë që tha se do të ndjekë punimet e shtëpisë deri në fund që paratë e grumbulluara të mos abuzohen.
“Kërkoj ndjesë por do flas në Anglisht. Është e vështirë të jesh këtu në Shqipëri në këtë kohë të vështirë. Zemra ime është e thyer me këtë situatë. Puna nuk do të mbarojë këtu, por do të ndjek nga afër punimet për banesën. Nuk do ta harroj asnjëherë prejardhjen time nga vij dhe ku jam rritur. Jam shumë e bekuar që të jem nga Shqipëria dhe të jem pjesë e këtij vendi. E dua vendin tim të origjinës. Ajo çfarë dua të them tani, është se ne të bëhemi bashkë dhe të ndihmojmë njëri tjetrin. E gjitha që dua të them tani më e mira është çdokush të japë donacionin e tij. Nëse ju nuk ndihmoni askush tjetër nuk ndihmoj. Doja ta shihja me sytë e mi. Doja ta ndjeja dheun nën këmbët e mia dhe të kuptoja çfarë po ndodh.
Do filloj ndërtimin e dy shtëpive. Dua të siguroj që jam përfshirë. Dua të përfshihem edhe në ndërtimin e shkollave. Është e rëndësishme për brezat e rinj. Njerëzit kanë nevojë më shumë se kurrë”- u shpreh Bebe.
Më tej shtoi: “Pavarësisht se sa famë kam fituar, pavarësisht ku unë shkoj, kurrë s’do harroj se nga vij dhe që kam gjak shqiptari; e di që jemi të fortë, jemi djemtë dhe vajzat e Nënë Terezës dhe do kujdesemi për njëri-tjetrin. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm , unë e dua vendin tim. Pavarësisht se nga cila sferë e jetës vini është shumë e rëndësishme që të ndihmoni, këta janë vëllezërit dhe motrat tona. Ndaj doja të vija sot, ta ndjeja, ta shihja me sytë e mi, jam e lumtur që jam këtu. Zemra më thyhet i kur shoh këta njerëz”, duke shtuar se në planet e saj të mëtejshme përfshihet edhe rindërtimi i shkollave.
Ajo udhëtoi nga SHBA në Bubq për të monitoruar nga afër situatën. Ndërsa në Instagram shkroi: “Përshëndetje. Më në fund mbërrita në Shqipëri. Po shkoj në fshatin Bubq. Do shohim si janë gjërat dhe do ju mbaj të përditësuar.”
Ajo tha gjithashtu se pavarësisht famës, i mbetet besnike gjakut dhe origjinës. “Të dua Shqipëri”- tha Bebe Rexha në fund të prononcimit për mediat. Këngëtarja shqiptare ka menduar edhe për fëmijët, pasi tregon në një video në “Instagram” një valixhe të mbushur plot e përplot me karamele. Risjellim në vëmendje se përmes “GoFondMe”, Bebe Rexha ia doli që brenda pak ditëve të mblidhte 100 mijë dollarë për të prekurit nga tërmeti me magnitudë 6.4 ballë.