Diplomati francez: Shqipërisë i thamë JO, për reformat e papërfunduara dhe krimin

Diplomati Jean Louis Falconi, ambasador i Francës në Beograd deklaron se vetoja e Parisit kundër Shqipërisë ishte një “jo” që nënkuptonte dhe mos realizimin e reformave dhe problemet me krimin. Në një intervistë për mediat serbe Fonet.rs, ai deklaroi se Franca nuk ka thanë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do jenë pjesë e BE. “Në Bruksel, Shkupit dhe Tiranës iu tha “po, por” dhe “po nëse”, ka deklaruar Falconi, duke shtuar se fillimi i negociatave do të pasojë menjëherë pasi këto vende të kenë përfunduar reformat e nevojshme. Sipas ambasadorit, “për të gjitha vendet që aspirojnë BE-në, reformat janë të nevojshme, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut dhe luftën kundër krimit”. Ambasadori francez ka theksuar se procesi i zgjerimit merr parasysh gjendjen e vendit, shoqërinë, dhe ekonominë e tij.

Javën e kaluar ishin mediat serbe që raportuan disa ditë më parë se Franca ishte e gatshme që t’i ofronte vendeve të Ballkanit Perëndimor një “partneritet të privilegjuar” nëse ato tërhiqeshin nga objektivi për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Franca ka përzgjedhur pikërisht ambasadorin e saj në Beograd për të hedhur poshtë këtë pretendim. Sipas Jean Louis Falconi, vendi i tij nuk ka vendosur as veto dhe as nuk ka propozuar partneritet të privilegjuar për shtetet e Ballkanit, pasi siç është shprehur presidenti Emmanuel Macron në Beogard, rajoni e ka vendin në Bashkimin Evropian.

Në intervistën për agjencinë ‘Fonet’, Falconi theksoi se premtimi i anëtarësimit për shtetet e Ballkanit Perëndimor do të mbahet. Jean Louis Falconi ka shpalosur edhe disa pika sa i përket idesë së Emmanuel Macron për “modernizimin e procesit të integrimit”. Sipas tij, ky modernizim do i sjellë më shumë përfitime shteteve që zhvillojnë negociatat.

“Vendet po bëjnë reforma strukturore të rëndësishme dhe të gjera, por përfitimet që vijnë, në formën e parave ose përfitimeve të tjera, materializohen vetëm në fund të procesit”, është shprehur ambasadori. Sipas tij, procesit aktual i pranimit është i pamjaftueshëm dhe qytetarët e vendeve kandidate nuk e shohin evolucionin në praktikë dhe procesi shpesh është shumë burokratik. “Pasi të jenë përmbushur kriteret dhe negociatat të kenë përfunduar në një fushë të caktuar, për shembull në fushën financiare ose kulturore, vendi kandidat mund të ulet në të njëjtën tryezë si anëtarët e Bashkimit Evropian dhe të marrë pjesë në diskutimet mbi këto tema, por pa të drejtën e votës”, theksoi ambasadori francez në Beograd.

Këto janë nisma konkrete, të cilat vendet e rajonit përfitojnë drejtpërdrejtë, thekson ambasadori i Francës, i cili beson se një proces i tillë do ta bënte BE-në më popullore në mesin e qytetarëve ballkanas. Por Jean Louis Falconi theksoi gjithashtu se procesi i negociatave dhe përfitimet që marrin shtetet kandidate mund të ndërpriten nëse ato ndryshojnë kursin e tyre. Sipas ambasadorit, kjo nismë e Parisit nuk kërkon ndryshime thelbësore në institucionet e Brukselit, por mjafton një marrëveshje, për të cilën po punohet.

Ideja e një partneriteti të privilegjuar me BE-në duke hequr dorë nga anëtarësimi u refuzua edhe nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut gjatë një takimi midis dy presidentëve, Ilir Meta dhe Stevo Pendarovski.

SHKARKO APP